
Një tjetër sukses i madh për Digital School Macedonia – Dibër. Në Olimpiadën Ndërkombëtare STEM, të mbajtur në Romë, nxënësit dibranë Eugjen Papraniku dhe Junus Aziri fituan medalje të artë, duke e përfaqësuar denjësisht Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut në konkurrencë me pjesëmarrës nga 56 shtete. Dy nxënësit u kthyen nga kryeqyteti italian me medalje të arta, duke dëshmuar se talenti, puna e vazhdueshme dhe përkushtimi sjellin rezultate të nivelit më të lartë. Suksesi i tyre është edhe rezultat i mbështetjes dhe punës së mentorëve që i kanë përgatitur për këtë garë ndërkombëtare.
Junus Aziri është përgatitur nga arsimtari Fitim Dika, ndërsa Eugjen Papraniku është trajnuar në Digital School Macedonia në Dibër. Të dy konsiderohen shembull i bashkimit të talentit me punën profesionale dhe përkushtimin e vazhdueshëm.
Koordinatorja e Digital School Macedonia në Dibër, Adisa Mullarexha, për gazetën KOHA tha se ky është një sukses i jashtëzakonshëm për shkollën dhe për qytetin. “Ky sukses dëshmon se Digital School Macedonia në Dibër e ka arritur misionin e saj dhe prej vitesh po nxjerr talente në fushën e teknologjisë. Dy nxënësit tanë treguan edhe në Romë se mund të arrijnë rezultate të nivelit botëror. Mirënjohje dhe respekt për arsimtarin Fitim Dika dhe ekipin e Digital School Macedonia në Dibër për punën, kohën dhe përkushtimin e tyre në zhvillimin e talenteve të rinj. Suksesi i nxënësve është njëkohësisht edhe dëshmi e punës së palodhur të mentorëve të tyre”, tha Mullarexha.
Për një qytet të vogël si Dibra, medaljet e fituara në konkurrencë me pjesëmarrës nga 56 shtete përfaqësojnë shumë më tepër sesa një arritje individuale. Ato janë krenari për familjet, mentorët dhe gjithë qytetin, por edhe motivim për brezat e rinj se me punë, përkushtim dhe mbështetje mund të arrihen sukseset më të mëdha në arenën ndërkombëtare. (V.S)



