LajmeMaqedoniTurizëm

Me kuaj në malin e thatë të Dërvenit, destinacioni që po mahnit turistët

Me siguri keni dëgjuar për sportin e hipizmit. Ky është një sport tradicional me kalë  dhe shumë i vjetër, e atë mund ta ushtroni edhe në Pollog.

Pikënisja ishte mbi fshatin Merovë, në vendin e quajtur Jabllanicë, një vend atraktiv dhe mjaft i frekuentuar nga adhuruesit e natyrës dhe të hipizmit.

Hipizmi në këtë zonë po merr një hov të madh nga qytetarët që kërkojnë të kalojnë kohë me natyrën, kuajt dhe dëshirojnë të përjetojnë adrenalinën e kalërimit.  Imer Hasani, ka në pronësi  gjashtë kuaj për hipizëm dhe ofron udhëtime në terrene të rrafshëta dhe malore.

Hasani thotë se këtë punë e ka filluar dy vite më parë, ndërsa shton se terreni i përshtatshëm dhe natyra mbresëlënëse  bën që në Dërven të Tetovës të rritet interesi për turizëm.

 “Dy vite. Nisja bëhet nga fshati Merovë  deri këtu, këtu është fundi, ka pamje të bukur, relacionet janë të ndryshme dhe të shkurta edhe deri këtu të ndryshme në të gjithë Malin e thatë. Rruga është një orë e gjysmë dhe anasjelltas është tre orë e diçka me pushim. Ne i bëjmë pak më shkurt se tetë kilometra se kalojmë në male, pak terreni është më i vështirë por për kalërim ja vlen”, tha Imer Hasani – Pronar.

Por çfarë duhet të dimë për kalërimin apo hipizmin!? Hasani thotë se kuajt janë të qetë dhe të butë, ndërsa më kryesorja është që të mos kemi frikë dhe të ruajmë balansin deri sa jemi mbi kalë.

 “Kuajt janë të butë të urtë janë të trajnuar. Edhe për fillestarë me qenë ja vlen, nuk është pengesë kryesorja është që të ruash balansin mos kesh frikë dhe të shijosh natyrën. Me kalë ecën dhe shijon natyrën, këtu e hekë stresin dhe lirohesh. Çmimet i kemi të ndryshme duke filluar nga pesë euro deri në 30 euro. Kemi çmime, varet nga relacioni që zgjedhë”, theksoi Imer Hasani – Pronar.

Udhëtimi jonë që kishte destinacion përfundimtar fshatin Sallarevë, nga ku mund të vështrosh liqenin e Kozjakut, iu bashkëngjitën edhe disa turistë. Edhe për ata është hera e parë që provojnë hipizmin, ndërsa thonë se kanë ngelur  të befasuar me pamjen që ofron natyra në Malin e thatë.

 “Unë vi nga Struga, jetoj në Austri, kam ardhur për këtë pamje të bukur të natyrës dhe i ftoj të gjithë që janë jashtë vendit të vijnë ta shijojnë këtë pamje të bukur, të relaksohen se ka nevojë çdonjëri.  Kalërimi ishte shumë bukur, ishte një eksperiencë e bukur, kaluam pa rrezik dhe më në fund kemi një pushim të këndshëm ku ta shijojmë këtë pamje që kemi”, pohoi Durim Azizi – Turist.

 “Është hera e parë që bëjmë hipizëm ishte një ekspericencë vërtete shumë e bukur. Deshëm që ta provojmë, erdhëm në fshatin Merovë dhe u kënaqem shumë. Ua sugjeroj edhe të tjerëve që të vijnë të kalojnë një fundjavë ndryshe nga e zakonshmja, pamja është shumë e bukur ta shijojnë natyrën me kuajt”, u shpreh Lynkesta Azizi – Turiste.

 “Ishte një eksperiencë e mrekullueshme, kemi ardhur nga Struga e kemi parë në rrjetet sociale dhe kemi ardhur që ta provojmë por ishte një eksperiencë shumë e mirë dhe pamja është shumë e bukur erdhëm me kuaj. Shumë kënaqësi e madhe, në fillim ishte frikë pak por më pas u mësuam edhe me kuaj në grup ishte kënaqësi kishim edhe udhëheqës”, pohoi Lyhnid Jakupi – Turist.

Pas udhëtimit me kuaj që zgjati mbi tre orë, herë në terrene të rrafshëta e herë të pjerrëta, u rikthyem përsëri në vendin e nisjes.

Edhe pse kjo zonë quhet Mali i thatë, natyra e gjelbëruar dhe vendpushimet e bëjnë këtë pjesë të jetë një ndër vendet më të bukura të rajonit të Pollogut.

Related Articles

Back to top button
Close
Close