
Në hapësirat e shoqatës së pensionistëve në Tetovë është mbajtur një protestë në shenjë revolte për mos rritjen e pensioneve në mënyrë lineare.
Pensionistët janë të indinjuar se marrin një pension minimal dhe nuk mund të mbijetojnë për shkak të rritjes enorme të standardit jetësor.
Ismail Lika, një pensionist nga Tetova, shprehet se funksionarët për vete i kanë rritur pagat për 78 përqind, kurse nuk bëjnë rritjen e pensioneve dhe se me 12 mijë denarë pension nuk mund të jetohet. “Diku janë rritur 78 përqind, administratës e kështu me radhë, kurse neve 12 mijë denarë, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë.
Kryeministri tha se nuk mund të barazohen pensionet se kush ka shtazh më shumë e më pak, ajo është në rregull, ne nuk e duam të huajën, ne duam tonën, ne që jemi me minimale kërkojmë hakun tonë që na takon, sidomos pas shtrenjtimeve të mëdha, duhet të riten pensionet e jo 6 përqind, vetëm për rrymën elektrike kam paguar këtë muaj 8 mijë denarë, uji, mbeturinat gjithsej 11 mijë denarë. Vetëm një mijë denarë mbeten për ushqim”, tha pensionisti Ismail Lika.
Pensionistët dolën edhe me një apel drejtuar qeverisë. “Jetesa është shumë e vështirë, standardi është I lartë pensionet janë poshtë, jashtëzakonisht poshtë. Apeloj qeverisë dhe kryeministrit që të merr parasysh edhe kërkesat tona, ka rreth 80 mijë që janë me pension mininal, duhet edhe neve të na marrin parasysh, e jo 6 përqind, po na poshtërsojnë me këto pensionet e vogla”, tha Lika.
Ndërkohë, për më 20 shtator, është paraparë një protestë para qeverisë e pensionistëve nga mbarë vendi.“Ftoj të gjithë pensionistët para qeverisë më 20 shtator, ftoj kryetarin e komunës që të jetë një përkrahës si I pari I komunës, poashtu ftoj edhe kryetarët e komunave rurale, poashtu edhe deputetët që janë nga Tetova që të vijnë në protestë dhe të na japin përkrahje që pensionet të rriten, sepse nuk jetohet, kjo nuk është jetë sepse askush nuk mund të mbijetojë me këto pensione dhe poashtu kërkojmë rritje lineare të pensioneve”, tha Letka Mishevska nga Shoqata e pensionistëve. Për ditën e enjte në orën 18 janë paraparë protesta në sheshin e Tetovës nga ana e shoqatës së pensionistëve. Top24



