
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas mbylljes së qumështores VITA, duke e cilësuar këtë veprim si një goditje të rëndë ndaj prodhimit vendor, fermerëve dhe punëtorëve.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se mbyllja e njërit prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë nuk është vetëm sulm ndaj një kompanie, por edhe ndaj mijëra fermerëve që bashkëpunojnë me të, qindra punëtorëve që sigurojnë të ardhurat e familjeve të tyre dhe ekonomisë së vendit.
Ai kritikoi Qeverinë në detyrë, duke vlerësuar se në vend se të mbështesë prodhuesit vendorë, po krijon pasiguri për investimet dhe po dëmton bizneset që gjenerojnë vende pune.
Haradinaj theksoi se Kosova nuk ndërtohet duke mbyllur fabrika, por duke mbrojtur prodhimin vendor, fermerin, punëtorin dhe sipërmarrësin që investon dhe krijon vende pune.
Në fund të reagimit, ai u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndalin menjëherë, vendimet arbitrare që rrezikojnë prodhimin vendor dhe mirëqenien e mijëra familjeve kosovare.



