LajmeSport

Mbrojtja për t’u ribërë, Inter studion alternativa nga Bundesliga

Milan Skriniar po kalon muajt e fundit të aventurës së tij 6-vjeçare me fanellën e Interit dhe drejtuesit zikaltër kanë nisur punën për gjetur pasuesin e tij.

Tentativa e parë u bë që në janar për francezin e Bayernit, Benjamin Pavard, megjithatë bavarezët refuzuan, duke shtyrë gjithçka për në verë.
Pikërisht Pavard është objektivi primar i zikaltërve, që do të provojnë sërish në verë, duke ofruar 20 milionë euro për Bayernin e Mynihut.

Në favorin e milanezëve është edhe fakti që kontrata e francezit me Bayernin skadon në verën e 2024-ës dhe një vit më herët, bavarezët nuk mund të pretendojnë shuma të mëdha.

Një tjetër alternativë, që gjithashtu vjen nga Bundesliga, është francezi i Eintracht Frankfurt, Ndicka, i cili në verë do të jetë lojtar i lirë dhe josh jo pak zikaltrit.

Megjithatë problem mbetet fakti që Ndicka është mëngjarash dhe jo fort i përshtatshëm për krahun e djathtë të mbrojtjes me tre që përdor Inzaghi.

Alternativa e fundit, por jo më pak e rëndësishme është ajo e portugezit të Lille, Djalo, por këtu problem mbeten pretendimet e francezëve, që kanë çuar çmimin e tij në 35 milionë euro, shifër kjo jashtë parametrave të zikaltërve.

Situata në mbrojtje

Deri në merkaton e verës ka ende shumë kohë përpara, por Marotta e Ausilio e dinë se duhet të punojnë shumë, pasi do të duhet të rindërtojnë një repart nga e para.

Kjo pasi përveç Skriniar, pritet të largohet edhe D’Ambrossio, teksa në dyshim janë De Vrij që i skadon kontrata e Acerbi, që i përfundon huazimi.

Momentalisht e vetmja pikë e qëndrueshme në repart është Bastoni, por edhe situata e tij mund të ndryshojë, pasi italianit i skadon kontrata në verën e 2024-ës dhe nëse nuk rinovon deri në maj, atëherë do të nxirret në shitje, për të shmangur një situatë të njëjtë si ajo me Skriniar.

Related Articles

Back to top button
Close
Close