LajmeMaqedoniTopLajm

Mbi tetë tonë marihuanë u transportuan nga Maqedonia në Serbi, dy të dyshuar pranuan fajësinë dhe u morën vesh me Prokurorinë

Shoferi i pesë transporteve të marihuanës dhe organizatori kryesor i operacionit e pranuan fajësinë për kontrabandën e madhe të kanabisit nga Maqedonia e Veriut në Serbi. Siç raporton Tellma, në marrëveshjet e tyre përmenden më shumë se 8 tonë drogë të transportuar nga RMV-ja.

Njëri është në arrati, njëri në paraburgim në Kosovë, dy janë në burg pas marrëveshjeve për pranimin e fajësisë, ndërsa nëntë të tjerët janë ose në paraburgim ose nën hetim nga organet hetimore.

Deri tani, gjithsej 13 persona janë të dyshuar për kontrabandën e sasive të mëdha të marihuanës nga Maqedonia në Serbi, ndërsa hetimi vazhdon.

Në arrati është shtetasi serb Predrag Brkoviq, një nga pronarët e kompanisë së Shkupit për kanabis mjekësor “Alfafarm Grup“ dhe i vetmi shtetas i huaj në grup.

Ndërkohë, dy persona kanë pranuar fajësinë dhe janë marrë vesh me Prokurorinë.

Gjykata Penale i ka publikuar marrëveshjet, ku përmenden pesë transporte të marihuanës. Sipas asaj që thuhet në marrëveshje dhe që është pranuar nga dy të dënuarit, bëhet fjalë për një sasi prej më shumë se 8 tonësh, por nuk është specifikuar nëse e gjithë kjo sasi përbëhej nga kanabis i kontrabanduar i prodhuar në fabrikat e Maqedonisë së Veriut.

Transporti i parë dhe i dytë janë kryer në gusht të vitit të kaluar dhe në to përmendet një sasi prej më shumë se 2,2 tonësh, e cila mungonte në dallimin mes peshave të kamionëve të përdorur për kontrabandë. Në shtator dhe nëntor, dallimi në peshën e kamionëve ishte përkatësisht 527 dhe 280 kilogramë. Transporti i fundit u krye më 13 janar të këtij viti, ndërsa Prokuroria në marrëveshje përmend më shumë se 5 tonë marihuanë. Në total, bëhet fjalë për 8 tonë e 40 kilogramë.

Në marrëveshje shpjegohet mënyra se si zhvillohej kontrabanda dhe se për transportet përdoreshin automjete dhe kamionë që bliheshin ose merreshin hua para transportit të fundit në janar.

“D.S. kërkonte përmes telefonit persona që t’i sillnin një automjet me karton të gjelbër, pas së cilës, pak më vonë, personat A.R. dhe S.R. mbërritën me një automjet BMW me targa… D. hyri në kamionin me drogën e ngarkuar së bashku me të dyshuarin A.I. dhe hynë në Republikën e Serbisë në orën 23:57, ndërsa të dyshuarit e tjerë vazhduan të lëviznin në Serbi me automjetin BMW, duke mbikëqyrur dhe siguruar transportin e drogës”, thuhet në marrëveshjen për pranimin e fajësisë së D.S. dhe A.I.

Pas këtyre inicialeve fshihen dy personat që pranuan fajësinë dhe u morën vesh me Prokurorinë: Dragan Stojanov nga Koçani, i cili i shoqëroi të gjitha transportet, qoftë në kamionë apo në automjete që shërbenin për përcjellje, dhe Aleksandar Ivanovski, i cili ishte shoferi i pesë transporteve të kontrabandës.

“Mushkat e drogës” nga Maqedonia, në disa raste, kanë marrë nga 10 mijë euro për çdo pjesëmarrje, thuhet në marrëveshje.

Pas pranimit të fajësisë, ata u dënuan me 3 vjet e gjysmë dhe 3 vjet e 8 muaj burg, si dhe me pagesën e shpenzimeve gjyqësore. Megjithatë, paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal nuk iu konfiskuan. Të dy janë transferuar nga qelitë e paraburgimit në Shutkë në pjesën e të njëjtit burg të Shkupit ku vuhet dënimi.

Edhe pse janë kryer pesë transporte, gjatë të cilave, në vend të ëmbëlsirave dhe jastëkëve, transportohej marihuanë e prodhuar në fabrikat për kanabis mjekësor në RMV, nuk ka të dhëna nëse po zhvillohet hetim ndaj pjesëtarëve të shërbimeve dhe nëse ka pasur lëshime në punën e punonjësve të MPB-së dhe doganës.

Në marrëveshje përmenden edhe dy noterë, te të cilët ishte noterizuar shitja e kamionit të përdorur në kontrabandën e janarit. Kamioni ishte rishitur dy herë për të humbur gjurmët: herën e parë përmes noteres Panovska nga Koçani, një ditë pas festës së Krishtlindjes, ndërsa më pas në Shkup te noteri dhe ish-avokati i Popullit Naser Ziberi, i cili e kishte noterizuar shitjen më 10 janar, të shtunën, ditë kur nuk mund të futen të dhëna në librat noterialë.

Automjeti i përmendur në kontratat noteriale është përdorur për transportimin e marihuanës nga Shkupi në Sveti Nikollë, ku droga zëvendësoi jastëkët e Prilepit gjatë rrugës drejt Serbisë.

Kujtojmë se më 21 korrik 2026, Prokuroria Publike për Krim të Organizuar e Serbisë ngriti aktakuzë kundër gjashtë anëtarëve të grupit kriminal të organizuar për transport të paligjshëm ndërkombëtar të marihuanës. Ndërsa më 17 gusht, Prokuroria njoftoi se hetimi është zgjeruar dhe përfshin edhe shtatë të dyshuar të rinj.

Related Articles

Back to top button
Close
Close