
Tash e mbi një dekadë brenda Policisë së Kosovës nuk është hapur konkurs për gradën e rreshterit, pavarësisht rritjes së numrit të zyrtarëve policorë dhe nevojës së vazhdueshme për avancimin e tyre në karrierë. Në rastet kur konkurse të tilla janë hapur, procesi është përballur me vështirësi, parregullsi dhe dyshime për shkelje, duke çuar përfundimisht në anulimin e tyre. Mungesa e konkurseve për këtë gradë ngre pikëpyetje për mënyrën se si po menaxhohet avancimi brenda një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në vend. Ndonëse vitin e kaluar ishte hapur konkurs për rreshterë të rinj, i njëjti ishte anuluar pasi, siç ka mësuar Albanian Post nga burime brenda policisë, testi ishte shpërndarë. Pavarësisht kësaj nevoje, Policia e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Albanian Post lidhur me arsyet e mungesës së konkursit për rreshter, kohën kur pritet të hapet një konkurs i tillë dhe numrin e zyrtarëve që aktualisht plotësojnë kushtet për avancim.
Ndërkaq, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një bisedë për Albanian Post, sqaron se situata është veçanërisht problematike sa i përket gradave të ulëta. “Çështja e gradimit në Policinë e Kosovës, sidomos e gradave më të ulëta, siç është grada e nivelit të parë, grada e rreshterit, është një problem bukur i madh, meqenëse ka disa vite që Policia e Kosovës nuk e ka procesin për gradimin në gradën e rreshterit”, sqaroi Qalaj për Albanian Post. Ai thotë se dështimi i këtij procesi lidhej edhe me mënyrën se si ishte menaxhuar konkursi. “Ju e dini që në vitin 2024 ka dështuar procesi i gradimit për shkak të keqmenaxhimit në Policinë e Kosovës dhe për shkak se realisht në këtë proces është lejuar të hyjë një gjeneratë që, sipas ligjit, nuk ka pasur të drejtë”.
Parregullsitë gjatë proceseve të konkurseve për gradim janë evidentuar edhe nga Inspektorati Policor. “Ka pasur një udhëzim administrativ, i cili është bërë nga drejtori i Përgjithshëm dhe që është hedhur poshtë nga Gjykata Supreme. Ky udhëzim i lejonte gradimin në gradën e rreshterit dhe gradën e togerit njëkohësisht për policët të cilët janë në policinë në vitet e fundit”. “Edhe kjo nuk ka qenë në rregull. Nuk është e drejtë që një zyrtar policor, pas 27 vitesh, të marrë dy grada dhe të mos shkojë në një proces të rregullt”. Sipas tij, vendimi i Gjykatës Supreme për pezullimin e procedurës ka qenë i drejtë. “Gjykata Supreme ka bërë mirë që e ka anuluar, sepse ky udhëzim administrativ ka shumë defekte dhe është në kundërshtim edhe me Ligjin për Policinë e Kosovës”. Ai theksoi se nevoja për gradime ekziston në disa nivele, por më e theksuar është ajo për gradën e rreshterit. “Nevojat e policisë janë më të mëdha për gradën e rreshterit dhe të togerit. Ka qenë një konkurs i fundit, mirëpo për gradën e rreshterit është një mungesë më e madhe”.
Ish-drejtori përmendi edhe arsyet pse mungesa e gradimeve është mjaft shqetësuese. “Një numër mjaft i madh i eprorëve të policisë shkojnë në pension, një numër mjaft i madh, fatkeqësisht, edhe po vdesin. Policia gjithmonë duhet të rinohet edhe me grada. Mendoj që drejtori i Përgjithshëm dhe menaxhmenti i Policisë duhet të bëjnë analizat e duhura dhe të fillojnë me proceset e gradimit për të gjitha gradat”.
Policia e Kosovës kishte mbetur për 11 vjet pa konkurs të rregullt për gradën e rreshterit. Konkursi i fundit para kësaj periudhe ishte zhvilluar në vitin 2013. Pas më shumë se një dekade pritjeje, më 12 shkurt 2024, policia shpalli konkurs për mbi 350 pozita të lira për gradën e rreshterit.
Megjithatë, procesi nuk përfundoi me sukses. Pas parregullsive të evidentuara gjatë testimit të mbajtur në maj, përfshirë rrjedhjen e pyetjeve dhe dyshimet për manipulim, konkursi u anulua zyrtarisht nga Inspektorati Policor i Kosovës në korrik 2024. Edhe për gradat e larta menaxhuese, policia ka pasur një periudhë të gjatë pa konkurse të rregullta. Konkursi i fundit për gradat e kapitenit, majorit, nënkolonelit dhe kolonelit ishte zhvilluar në prill 2019. Në atë proces u graduan 19 kolonelë, 13 nënkolonelë, 45 majorë dhe 59 kapitenë. Mungesa e konkurseve të rregullta ndër vite ka ndikuar edhe në sistemimin e zyrtarëve policorë. Raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit ka konstatuar se 185 zyrtarë policorë janë sistemuar në pozita për të cilat nuk e kanë gradën përkatëse. Një vit më parë, ky numër ishte 39.
Në maj të këtij viti, policia ndërmori një tjetër hap për avancimin e zyrtarëve, duke shpallur konkurs për 157 pozita për gradën e togerit. Konkursi parashihte mundësinë që zyrtarët me gradën “Polic i Lartë” dhe me më shumë se 10 vjet përvojë aktive në Policinë e Kosovës të avancoheshin drejtpërdrejt në gradën e togerit, pa kaluar paraprakisht në gradën e rreshterit. Megjithatë, procedura u kontestua në gjykatë. Më 15 qershor, Gjykata Supreme miratoi kërkesën për masë të përkohshme sigurie dhe pezulloi procedurën e gradimit të shpallur më 28 maj.



