LajmeMaqedoniTopLajm

Mashtruan shkupjanin, arrestohen tre persona

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër tre të dyshuarve për veprën penale – Shantazh sipas nenit 258 të Kodit Penal, njofton Top24

Në periudhën nga 16 deri më 18 shtator, i dyshuari i parë, me qëllim që të përfitojë dobi të kundërligjshme pasurore, ka përdorur kërcënim serioz dhe e ka detyruar një të dëmtuar t’i paguajë 60.000 denarë.

I dyshuari iu prezantua të dëmtuarit si pjesëtar i një grupi kriminal dhe i kërkoi që t’i japë 1000 euro, me arsyetimin se do ta mbronte nga persona të tjerë që më herët i kishin kërkuar para. Njëkohësisht e kërcënoi që të mos raportojë në polici, sepse do ta vriste dhe do t’ia digjte shtëpinë.

Ditën e parë, i dëmtuari i dha 30.000 denarë, pasi aq kishte mundësi të tërhiqte nga bankomati, por më pas e raportoi rastin në polici. Dy ditë më vonë, kur u morën vesh për dorëzimin e pjesës tjetër të parave, kartëmonedhat ishin paraprakisht të përpunuara kriminalistikisht. Menjëherë pas dorëzimit, i dyshuari u arrestua në vendngjarje dhe tek ai u gjetën paratë.

Hetimi përfshin edhe dy persona të tjerë, për të cilët, sipas provave të siguruara deri më tani, prokuroria ka dyshime të bazuara se më parë, gjatë muajit gusht dhe shtator të këtij viti, në disa raste i kanë shantazhuar para të njëjtit person. Ata e kishin bindur se paratë ishin të destinuara për persona të tjerë, me qëllim që të mos i bënin dëm atij dhe familjes së tij, me ç’rast ekziston dyshimi se e kanë detyruar t’u paguajë gjithsej 27.000 euro.

Prokurori publik mbrëmë i dorëzoi gjykatësit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup propozimin për caktimin e masës së paraburgimit për të parin e dyshuar, i cili u kap në vendngjarje gjatë kryerjes së veprës penale, si dhe masa kujdesi – paraqitje të detyrueshme në gjykatë dhe ndalim afrimi tek i dëmtuari dhe familja e tij për dy të dyshuarit e tjerë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close