
Nën moton “Stop gjenocidit – Marshojmë për Palestinën”, në Shkup u mbajt një marsh protestues në shenjë solidariteti me popullin palestinez dhe për dënimin e krimeve të luftës dhe rrethimit të Gazës. Qindra qytetarë u mblodhën para monumentit “Simfonia e Paqes”, prej nga marshuan drejt ndërtesës së Qeverisë.
Organizatorët e marshit nga iniciativa “Të gjithë për Palestinën” theksuan se ngjarja është pjesë e një lëvizjeje globale të rezistencës dhe solidaritetit, që synon të thyejë heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe të ushtrojë presion mbi qeveritë për të ndërmarrë hapa konkretë kundër okupimit izraelit dhe gjenocidit.



