BotaLajme

Marrëveshja e planifikuar e “Volkswagen”-it për mbrojtjen me Izraelin bllokohet nga investitorët nga Katari

Planet e kompanisë “Volkswagen” për partneritet në fushën e mbrojtjes me kompaninë izraelite “Rafael” janë bllokuar nga investitorët nga Katari të prodhuesit gjerman të automjeteve.

Siç raporton gazeta “Bild”, fondi sovran i pasurisë së Katarit, aksionari i tretë më i madh i kompanisë “Volkswagen”, refuzoi propozimin e menaxhmentit për të prodhuar komponentë raketash dhe automjete ushtarake në fabrikën e kompanisë në Osnabruck.

Ky zhvillim vjen pasi drejtori ekzekutiv i “Volkswagen”-it, Oliver Blume, në muajin mars tha se kompania do të ndalojë prodhimin e automjeteve të Grupit “Volkswagen” në Osnabruck duke filluar nga viti 2027 dhe konfirmoi bisedimet me disa kompani të mbrojtjes për shndërrimin e fabrikës në një qendër për prodhimin e automjeteve ushtarake. Blume nuk dha detaje të tjera në atë kohë.

Propozimi ka shkaktuar polemika të mëdha në Gjermani. Punonjësit e “Volkswagen”-it, aktivistët e paqes dhe politikanët e opozitës e kanë kritikuar planin, duke argumentuar se prodhuesi i automjeteve duhet të përqendrohet vetëm në prodhimin civil.

Iniciativa e Paqes në Osnabruck (OFRI) ka organizuar protesta të shumta muajt e fundit duke i bërë thirrje “Volkswagen”-it të heq dorë nga çdo kontratë në fushën e mbrojtjes.

Partia e Majtë në opozitë në Gjermani e quajti bashkëpunimin e planifikuar të “Volkswagen”-it me kompaninë shtetërore izraelite “Rafael Advanced Defense Systems” “të papranueshëm”, duke përmendur fushatat ushtarake të vazhdueshme të qeverisë izraelite të Benjamin Netanyahut në Lindjen e Mesme dhe duke e akuzuar atë për krime lufte dhe gjenocid ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close