
Maqedonia e Veriut është pjesë e grupit të tetë shteteve që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, por që iu bashkuan paketës së fundit të sanksioneve të BE-së ndaj Bjellorusisë, për shkak të mbështetjes së saj ndaj Rusisë në luftën në Ukrainë.
Në këtë mënyrë, siç raportoi Euronews, këto vende do ta harmonizojnë politikën e tyre me masat e miratuara nga Këshilli i BE-së më 23 korrik.
Përveç Maqedonisë së Veriut, siç njoftoi Bashkimi Evropian, paketës së fundit të sanksioneve ndaj Bjellorusisë iu bashkuan edhe Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Islanda, Lihtenshtajni, Mali i Zi, Norvegjia dhe Ukraina.
Vendimi i tyre u përshëndet nga Brukseli.
Sanksionet parashikojnë ashpërsimin e kufizimeve në tregtinë e mallrave dhe teknologjive që mund të forcojnë kapacitetet ushtarake, teknologjike, mbrojtëse dhe të sigurisë të Bjellorusisë.
Gjithashtu, vendosen kufizime shtesë për importin e produkteve nga Bjellorusia që mund të gjenerojnë të ardhura shtesë për vendin.



