
Mançester Junajtid ka hedhur hapin e parë drejt një epoke të re, duke zbuluar zyrtarisht vendndodhjen e stadiumit të ri që do të zëvendësojë shtëpinë legjendare “Old Trafford”.
“Djajtë e Kuq” planifikojnë të ndërtojnë një impiant me kapacitet prej 100 mijë vendesh, i cili do të bëhet stadiumi më i madh në Mbretërinë e Bashkuar dhe i dyti më i madh në Evropë, pas “Camp Nou” të Barcelonës.
Stadiumi i ri do të ngrihet rreth 350 metra në veriperëndim të “Old Trafford”-it aktual.
Klubi ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e stadiumit historik, ku Junajtid do të vazhdojë të luajë gjatë periudhës së ndërtimit.
Projekti, i quajtur në dokumentet zyrtare “New Trafford”, synon të transformojë të gjithë zonën përreth në një qendër moderne që do të funksionojë gjatë gjithë vitit, me hapësira për sport, argëtim, banim dhe shërbime.
Plani përfshin gjithashtu përmirësimin e infrastrukturës së transportit publik, lidhjeve hekurudhore, si dhe krijimin e shtigjeve të reja për këmbësorët dhe çiklistët.
Sipas parashikimeve, ndërtimi i stadiumit të ri do të zgjasë rreth pesë vite dhe do të përfaqësojë një nga projektet më ambicioze në historinë e klubit anglez.
“Old Trafford”, i njohur prej dekadash si “Teatri i Ëndrrave”, ka qenë shtëpia e Mançester Junajtid që prej vitit 1910 dhe ka pritur disa nga momentet më të mëdha të historisë së futbollit botëror. Tashmë klubi po përgatitet për një kapitull të ri, duke synuar një stadium që të rivalizojë impiantet më moderne në botë.



