BotaLajme

Mamdani sfidon Trumpin/ Në 250-vjetorin e SHBA-së, kryebashkiaku i New York mbron emigrantët dhe kundërshton Presidentin

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, mbajti një fjalim me rastin e 250-vjetorit të SHBA-së, të cilin e përqëndroi tek historiku i emigrantëve dhe roli i tyre në ndërtimin e qytetit, në përpjekje për të krijuar një kontrast të qartë me retorikën e presidentit Donald Trump, i cili ka ndjekur politika të ashpra kundër emigracionit gjatë mandatit të tij të dytë.

Duke folur nga Bashkia e Nju Jorkut, pas tavolinës që dikur i përkiste presidentit të parë amerikan, George Washington, Mamdani i rrethuar nga qytetarë të natyralizuar, kujtoi valët e emigrantëve- irlandezë, kinezë, hebrenj, italianë, sirianë dhe shumë të tjerë- të cilët, pavarësisht diskriminimit dhe ligjeve kufizuese, ndërtuan jetën e tyre në Nju Jork dhe kontribuuan në zhvillimin e qytetit. Ai theksoi se ideali amerikan i jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë nuk i përket vetëm së kaluarës, por duhet të vlejë për çdo brez dhe për çdo qytetar. Duke iu referuar një vendimi të fundit të Gjykatës Supreme që bllokoi përpjekjet e Trump për të kufizuar të drejtën e shtetësisë sipas lindjes, Mamdani argumentoi se Amerika është ndërtuar mbi përfshirjen, jo përjashtimin.

‘Pavarësisht ligjeve të miratuara nga qeveria federale për t’u ndaluar hyrjen dhe vështirësive të tjera, emigrantët krijuan jetën e tyre këtu në qytetin e Nju Jorkut dhe ndihmuan në formësimin e tij. Patriotizmi nuk do të thotë të shtiresh sikur vendi ynë është i përsosur.Patriotizëm është çdo akt i drejtë kundërshtimi. Pikërisht sepse e duam këtë vend, nuk do ta braktisim’ u shpreh Mamdani.

Në fjalimin e tij, Mamdani tregoi edhe historinë personale si emigrant: i lindur në Ugandë, ai u zhvendos në Nju Jork në moshën shtatëvjeçare dhe mori shtetësinë amerikane në vitin 2018. Ai tha se për breza të tërë emigrantësh, pamja e parë e Amerikës ishte Statuja e Lirisë dhe Nju Jorku, simbol i shpresës dhe mirëseardhjes. Kryebashkiaku kritikoi vizionin e atyre që, sipas tij, e shohin Amerikën si një vend që u përket vetëm disa njerëzve- atyre me “theksin e duhur” ose “ngjyrën e duhur të lëkurës”. Ai paralajmëroi se ndarja dhe përjashtimi kanë qenë gjithmonë mjete politike për të fituar pushtet dhe pasuri, ndërsa bëri thirrje për unitet dhe rezistencë ndaj politikave përçarëse. Fjalimin e tij disa orë e ndanë me atë të Donald Trump, që tha nga Mount Rushmore se SHBA është vendi më i fuqishëm në botë, ndërsa e cilësoi komunizmin “një rrezik”.

‘Ne kemi Kushtetutën më të drejtë dhe më jetëgjatë në botë. Jemi vendi më i fortë dhe më i fuqishëm në botë dhe, me hirin e Zotit, Shtetet e Bashkuara janë kombi më i suksesshëm, me arritjet më të jashtëzakonshme dhe më i admiruari që ka ekzistuar ndonjëherë në historinë e njerëzimit. Dhe është një nder të jem presidenti juaj…’ u shpreh Trump.

Related Articles

Back to top button
Close
Close