Makron për vizitë të parë zyrtare në Slloveni

Presidenti i Francës, Emanuel Makron sot gjendet për vizitë pune në Lubjanë, me ç’rast u takua me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar dhe kryeministrin Robert Gollob.
Makroni në vizitën e parë në Slloveni ka nënshkruar disa marrëveshje, mes të cilave edhe për partneritet në sferën e energjisë bërthamore dhe arsimin.
“Shpesh dëgjojmë se ndërtimi i centralit të ri bërthamor është i tepërt për Slloveninë. Ndërsa e vërteta është se nuk e planifikojmë vetëm për Slloveninë, por planifikojmë edhe objekt, me të cilin rajoni i Evropës Juglindore do të siguronte pjesë të madhe për nevojat e veta lidhur me energjinë elektrike”, tha Gollob.
Në takimin Gollob – Makron u bisedua edhe për bashkëpunimin slloveno-francez në industrinë automobilistike. Automjetet e reja elektrike të Reno-s do të prodhohen në fabrikën në Novo Mesto.
Makron dhe Gollob u përqëndruan edhe në çështjet aktuale të politikës së jashtme, si dhe në negocitatat e paralajmëruara paqesore për Ukrainën dhe përfundimin e konfliktit në Rripin e Gazës.



