
Shoferët që kalojnë tranzit nëpër Maqedoninë e Veriut do të përfshihen në sistemin “Qyteti i Sigurt”, por deri sa sistemi të përmirësohet, gjobat nuk do t’u dërgohen automjeteve me targa të huaja.
Deri atëherë, drejtuesit që tejkalojnë shpejtësinë në autostradat e vendit me automjete të regjistruara jashtë shtetit do të ndëshkohen vetëm nga njësitë policore të njohura si “ndjekësit”, të cilat, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), janë vazhdimisht të pranishme në korridoret 8 dhe 10.
“Lidhur me automjetet për të cilat pyetni, të ashtuquajturit ‘ndjekës’, ju njoftojmë se ata janë vazhdimisht të pranishëm në korridoret 8 dhe 10 me qëllim sanksionimin e shoferëve që shkelin rregullat dhe dispozitat e trafikut”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.
Më herët, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që kalojnë tranzit nëpër korridoret 8 dhe 10 se kamerat e sistemit “Qyteti i Sigurt” funksionojnë, regjistrojnë dhe evidentojnë shkeljet në komunikacion.
Ai deklaroi se, përveç qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, së shpejti edhe drejtuesit e automjeteve me targa të huaja do të marrin gjoba për shkeljet e kryera, duke apeluar që të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion t’i respektojnë rregullat, pasi çdo jetë e shpëtuar ka vlerë të jashtëzakonshme.
“Shumë shpejt do të jeni dëshmitarë të zbatimit të plotë të fazës së dytë, e cila ka të bëjë me dorëzimin e gjobave për drejtuesit e automjeteve me targa të huaja. Prandaj u bëjmë thirrje të gjithë atyre që udhëtojnë me automjete të regjistruara jashtë vendit të respektojnë rregullat, sepse shkeljet regjistrohen dhe gjobat do t’u dërgohen së shpejti atyre që nuk i respektojnë ato”, deklaroi Toshkovski.
Sipas MPB-së, në periudhën nga shkurti deri në qershor të këtij viti, numri i viktimave në aksidentet rrugore është ulur me 40 për qind, nga 55 viktima në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në 34 këtë vit.
Nga fillimi i zbatimit të sistemit janë evidentuar mbi 130 mijë shkelje të trafikut, ndërsa më shumë se 95 për qind e tyre kanë të bëjnë me tejkalimin e shpejtësisë së lejuar.
“Nuk janë kamerat rreziku më i madh në rrugët tona, por drejtimi i papërgjegjshëm. Do të vazhdojmë zbatimin e sistemit në të gjithë vendin, sepse synimi ynë nuk është të shqiptojmë më shumë gjoba, por të kemi më pak aksidente, më pak jetë të humbura dhe rrugë më të sigurta për të gjithë”, njoftuan nga MPB-ja.



