Lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenko, tha se Moska është pajtuar që ta ndihmojë Minskun që të prodhojë raketa, përfshirë edhe një raketë të ngjashme me raketën ruse,Iskander.
Bjellorusia, aleatja më e afërt e Rusisë gjatë pushtimit të Ukrainës, po shikon mundësitë që të rrisë aftësitë e saj ushtarake, raportoi më 10 maj agjencia shtetërore e lajmeve, Belta.
Lukashenko, gjatë një takimi me zyrtarët e mbrojtjes, tha se ngjarjet në Ukrainë treguan për rëndësinë e pajisjes së ushtrisë me armë dhe furnizime moderne e efektive, dhe potencoi po ashtu rëndësinë logjistikës.
“Ne po krijojmë një raketë të re”, citohet të ketë thënë Lukashenka, raportoi Belta.
“Një raketë shumë efektive e ngjashme me modelin e Iskanderit”, tha ai, duke shtuar se Rusia ka shprehur mbështetje të plotë për Bjellorusinë.
Rusia ka përdorur raketat e tipit Iskander gjatë luftës në Ukrainë, apo siç e quan Moska “operacion të posaçëm ushtarak”.
Rusia ka përdorur territorin e Bjellorusisë për të nisur pushtimin e Ukrainës, edhe pse Minsku ka thënë se trupat bjelloruse nuk janë të përfshira në pushtimin e Kievit.