
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë në një reagim publik thonë se punëtorët në Maqedoninë e Veriut krijojnë vlerë më shumë se dyfish më të madhe ekonomike se atë që e fitojnë si pagë, bazuar në të dhënat e Organizatës ndërkombëtare të punës (ILO).
Përkundër kësaj, neto paga minimale në shtet është 24.379, që do të thotë se një punëtor i cili merr pagë minimale, fiton vetëm 17 për qind nga vlera që e krijon.
Nga LSM-ja vlerësojnë se shpërndarja e vlerës së krijuar, është “joproporcionale dhe jo e drejtë”, me ç’rast pjesa më e madhe përfundon me profit, investime, amortizim, tatime dhe harxhime tjera kapitale, e jo tek punëtorët.
Sipas sindikatës, produktiviteti i punëtorëve nga vendi është më i lartë se ai i disa vendeve në rajon, si Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Shqipëria, dhe afër nivelit të Bullgarisë. Megjithatë, paga minimale në Maqedoni mbetet dukshëm më e ulët se shumica e vendeve fqinje.
LSM konkludon se punëtorët shfrytëzohen, e kjo situatë, sipas tyre, mbështetet nga punëdhënësit dhe institucionet, duke theksuar se në shtet ka hapësirë ekonomike për rritje më të madhe të pagave.



