
Shkupi çdo ditë është i mbuluar nga tymi dhe qytetarët me shëndetin e tyre po e paguajnë çmimin e paaftësisë dhe gënjeshtrave të VMRO-DPMNE-së, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Nga kjo parti kërkojnë që kryeministri Hristijan Mickoski të tregojë nëse do të kërkojë përgjegjësi nga këshilltari i tij për mjedis jetësor dhe njëkohësisht kryetar i Bordit Drejtues të “Drisllës”, Dame Dimitrovski. Ai është ish-kryetar i Komisionit për Mjedis Jetësor të VMRO-DPMNE-së.
“VMRO-DPMNE kishte edhe drejtor të Drisllës – Jane Micevski, një njeri pa përvojë përkatëse, magjistër për turizëm dhe menaxhment. Me deponinë e Vardarishtes për dekada me radhë kanë menaxhuar kryetarët e komunave të tyre, nga Koce Trajanovski deri te Boban Stefkovski”, theksojnë nga LSDM.
Kjo parti rikujton se para katër vjetësh VMRO-DPMNE dhe kryetarët e komunave të tyre u premtonin qytetarëve “fabrikë për selektim të mbeturinave në Drisla”, “mbylljen e Vardarishtes, zvogëlimin e gazrave serrë, mbulimin dhe gjelbërimin e saj”, madje edhe “zonë të gjelbër Vardarishtë” me terrene sportive e rekreative, ndërsa Timço Mucunski premtonte dislokim.
“Kaluan katër vjet dhe asgjë nga këto nuk është realizuar. VMRO-DPMNE dhe Mickoski jo vetëm që nuk përmbushën asgjë dhe nuk zgjidhën asgjë, por i lanë deponitë të helmojnë qytetin. Për katastrofën ekologjike që çdo ditë e përjetojnë qytetarët e Shkupit fajin e ka VMRO-DPMNE me kuadrot e tyre të paaftë dhe me kryetarët e tyre të komunave”, përfundon reagimi i LSDM-së.



