
“Qeveria teknike duhet të mbetet, sepse kushtet në shoqëri janë të njëjta si në vitin 2016 – krim, korrupsion, institucione të kapura, partizim dhe kontroll mbi gjyqësorin”, e përsëriti qëndrimin e saj LSDM pas takimit të djeshëm të liderëve dhe një pjese të temave që u diskutuan mes kryetarëve të partive parlamentare.
Nga LSDM theksojnë se, siç e quajnë ata, koalicioni i tenderëve VMRO–ZNAM nuk dëshiron dialog, por kërkon alibi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat, sipas tyre, tashmë janë të dakorduara. Ata shtojnë se nuk duan reforma për BE-në, por mbulim për izolimin e qëllimshëm të vendit.
“Le të merret vesh VMRO me BDI-në për çfarë të dojë. Ne marrëveshje mund të bëjmë vetëm me qytetarët. Detyrimi ynë është ta kthejmë pushtetin në duart e popullit”, theksojnë nga “Bihacka”.
Nga LSDM shtojnë se heqja e modelit të “Pzhinos” mund të ndodhë vetëm në momentin kur shoqëria do të jetë e gatshme për këtë, ndërsa sipas tyre, për këtë janë të domosdoshme reformat sipas standardeve evropiane, veçanërisht në fushën e drejtësisë.
“Kur të zbatohen të gjitha ligjet reformuese që janë pjesë e rekomandimeve të BE-së dhe të misionit vlerësues, në sferën e gjyqësorit, prokurorisë, policisë, të drejtës dhe shtetit ligjor, atëherë si shtet do të jemi gati që të hiqet qeveria teknike”, theksojnë nga krahu i Venço Filipçes.



