LajmeMaqedoniTopLajm

LSDM ka dorëzuar në Kuvend ligj për heqjen e TVSH-së për produktet ushqimore bazë, VMRO nuk e mbështet

Me këto ndryshime, siç thotë LSDM-ja, do të ketë ulje reale të shpenzimeve nga shporta e konsumit mujor.

“Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar parashikon heqjen e TVSH-së për produktet ushqimore, pra nga 5 përqind në zero përqind të TVSH-së për të gjitha produktet ushqimore bazë. Propozimi përfshin mbi 250 kategori të produkteve që do të kenë TVSH zero përqind”, tha sot kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili e prezantoi projektligjin në një konferencë për media.

Sipas tij, nëse e kemi parasysh faktin se pjesëmarrja e ushqimeve dhe pijeve në shportën e konsumit është 23 mijë denarë, efektet e uljes së TVSH-së në zero përqind do të sjellin kursime për qytetarët deri në 2000 denarë në muaj.

“Ajo që është më e rëndësishme është se për zbatimin e projektligjit nuk kërkohet sigurimi i mjeteve financiare dhe me këtë masë nuk mund të luajn tregtarët siç ndodhi me masat e Qeverisë së Hristijan Mickoskit”, tha Filipçe. 

Filipçe nga Kuvendi, duke kritikuar politikat e qeverisë që janë aplikuar për produktet ushqimore bazë, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve, pavarësisht nga ideologjia politike, që ta përkrahin ligjin.

Nga ana tjetër, ligji në fjalë nuk do të mbështetet nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, njoftoi sot deputeti nga radhët e shumicës qeverisëse, Bojan Stojanovski.

Arsyetimi për mospërkrahjen e ligjit, sipas Stojanovskit, është se ai “vazhdon luftën ditore politike me tema ekonomike nga të njëjtët njerëz që e sollën Maqedoninë në një gjendje kaq të shkatërruar ekonomike”.

Stojanovski tha se Qeveria e kaluar katër herë e ka refuzuar një zgjidhje të tillë ligjore.

“Për t’i kujtuar opinionit, ata e rritën TVSH-në për mbi 2000 produkte ushqimore nga 5 në 10 përqind dhe na dhanë këshilla ushqimore se një pjesë e madhe e atij ushqimi nuk ishte e shëndetshme, prandaj edhe taksa po rritet”, tha ai.

Sipas tij, fakti që shporta e konsumit është ulur për vetëm 57 denarë, nuk ka të bëjë absolutisht me të vërtetën.

Ndryshe, prej 1 nëntorit, masa e marzheve të ngrira nuk është në fuqi dhe autoritet presin që të mos ketë rritje të çmimeve nga tregtarët. Nëse kjo ndodh, respektivisht, nëse vjen deri te rritja e pakontrolluar e çmimeve pa asnjë bazë, atëherë Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të ndërmarrë të gjitha masat që i ka në dispozicion dhe do të marrin vendime më rigoroze për të mbrojtur standardin jetësor të qytetarëve.

Related Articles

Back to top button
Close
Close