
Nga partia opozitare maqedonase LSDM, thonë se të dhënat e fundit zyrtare tregojnë gjendje serioze dhe shqetësuese të Buxhetit. Sipas LSDM-së, deficiti buxhetor ka arritur tashmë në 408 milionë euro.
“Vetëm në tre muaj, është realizuar deri në 63% të deficitit total të planifikuar për të gjithë vitin. Një mohim i drejtpërdrejtë i përrallave të Mickoskit se ne jemi “ekonomia e tretë” në Evropë. Është gjithashtu alarmante që në anën e të ardhurave, realizimi mezi është rreth 20%. Këto shifra janë një tregues i qartë i paaftësisë së politikave ekonomike të Qeverisë dhe diletantizmit ekonomik të Hristijan Mickoskit”.
“Ky deficit prej 408 milionë eurosh në vetëm tre muaj do të duhet të mbulohet me huamarrje të reja. Kjo do të thotë një barrë e re mbi shpinën e qytetarëve, të cilët do të paguajnë çmimin e paaftësisë së qeverisë. Ekonomia po fundoset. Investimet e huaja janë ulur me 60%, kompanitë po mbyllen dhe po pushojnë nga puna punëtorë, 1,500 punëtorë janë pushuar nga puna vetëm në një vit e gjysmë të kaluar, shteti u detyrohet 160 milionë euro për rimbursimet e TVSH-së kompanive”, thonë nga LSDM.



