
Sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken do të voijë në darkën joformale të Këshillit të ministrave të OSBE-së në Skup, konfirmoi sot ministri i Punëve të Jashtme dhe kryesues i OSBE-së, Bujar Osmani.
Osmani, i cili mbajti brifing me gazetarët rreth përgatitjeve të Këshillit, nuk mundi të precizonte nëse në darkën joformale do të marrin pjesë edhe ministrat e punëve të jashtme të Rusisë dhe Ukrainës. Siç tha, axhendat e të gjithë ministrave janë të ndryshme, kështu që nuk do të thotë se secili prej tyre do të jetë i pranishëm në konferencë të gjitha tre ditët.
Më 28 nëntor, informoi Osmani pritet ardhja e pjesëmarrësve në Këshillin e ministrave, ndërsa për më 29 nëntor është parashikuar darka joformale me numrin më të madh të ministrave. Në darkë, shefi i diplomacisë dhe kryesuesi i OSBE-së pret që të prezantohen qëndrimet e shteteve për të ardhmen e OSBE-së, por siç tha ai, temë do të jetë edhe agresioni në Ukrainë.
Në Këshillin e ministrave është parashikuar mbajtja edhe e disa ngjarjeve të tjera, të ashtuquajturat evente anësore, për të cilat janë planifikuar disa tema: Ukraina, ndryshimet klimatike, rinia dhe shoqëria civile.



