
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, reagoi ndaj pretendimeve të paraqitura gjatë debatit në Komisionin për ribalancin e Buxhetit, duke theksuar se ato nuk përputhen me dokumentet zyrtare buxhetore.
Sipas Ljutkovit, në dokumentin zyrtar të ribalancit nuk ekzistojnë pretendimet se mjetet për përforcimin e kuadrove dhe mbikëqyrjen inspektuese janë ridestinuar për pajisje zyre, si dhe nuk është e vërtetë se janë zvogëluar fondet për Agjencinë e Filmit apo për investimet kapitale.
Ministri bëri të ditur se me ribalancin janë siguruar 61 milionë denarë për projektin “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”, si dhe 200 milionë denarë shtesë për investime kapitale.
Ai theksoi se kritika është e nevojshme në një shoqëri demokratike, por duhet të bazohet në fakte dhe në lexim korrekt të dokumenteve zyrtare buxhetore. Sipas Tetovasot, Ljutkov nënvizoi se interpretimet politike nuk mund të zëvendësojnë të dhënat zyrtare.
Ministri rikujtoi gjithashtu rezultatet e prezantuara para dy javësh, duke theksuar se kur mori drejtimin e Ministrisë në vitin 2024 kishte trashëguar një borxh prej 273 milionë denarësh për paga. Ai shtoi se me ribalancin janë siguruar mjetet për shlyerjen e këtij obligimi, si dhe 150 milionë denarë shtesë për investime kapitale dhe aktivitete programore.
Ljutkov renditi edhe disa rezultate që, sipas tij, janë arritur gjatë mandatit të tij:
Buxheti për aktivitetet programore është rritur me 40%;
Investimet kapitale janë rritur me 110%;
Buxheti për veprimtarinë filmike është rritur me 87%;
Institucionet kombëtare kanë rritur të ardhurat vetanake me mbi 150%;
Janë vendosur procedura më transparente dhe kritere të qarta financimi;
Programi për Kulturë për vitin 2025 është realizuar në 98%.
Në fund, ministri deklaroi se këto janë të dhëna zyrtare dhe të verifikueshme, duke shtuar se buxheti nuk mund të interpretohet sipas nevojave politike, por vetëm mbi bazën e fakteve.



