
Para së ta marrë zyrtarisht detyrën si kryetar i sapozgjedhur i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç ka dhënë sinjale të qarta të mosrespektimit të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Në ftesën me firmën e Radojeviç, dërguar asamblistëve të kuvendit të ri komunal për seancën konstituive, ku do të jepet betimi si kryetar i Komunës, mungon shënimi zyrtar i dokumentit relevant, përkatësisht “Republika e Kosovës” — term që ligjërisht dhe obligativisht duhet të përdoret nga çdo institucion shtetëror, qoftë në nivel lokal, qoftë në atë qendror, në secilin dokument zyrtar.
Veç mungesës së shënimit zyrtar “Republika e Kosovës”, në ftesë paraqitet edhe mungesa e respektimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Mungon gjuha shqipe.



