
Në kushte kur përballemi me raste serioze të dhunës, nuk duhet të jetë në fokus nëse dikush do të mbetet ministër, por si institucionet do të kontribuojnë për parandalimin e tyre, deklaroi ministri për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini Fatmir Limani, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse do të jetë pjesë e rikonstruimit të paralajmëruar të Qeverisë.
Ai theksoi se gjendjet e tanishme shoqërore kërkojnë përkushtim të plotë nga të gjithë bartësit e funksioneve publike. “A jemi apo jo ministra, deri në atomin e fundit duhet të jemi të përkushtuar për të parandaluar rastet e tilla, ndërsa jo të merremi me atë se kush të jetë ministër”, tha Limani. Ministri thekson se më e rëndësishme është se ç’farë rezultate lënë institucionet dhe bartësit e tyre në luftën kundër dhunës, duke shtuar se nevojitet veprim i përbashkët.



