LajmeMaqedoniRajonTopLajm

Liderët e Shqipërisë e Kosovës ngushllojnë familjen Nishani

Ndarja nga jeta e ish-Presidentit Bujar Nishani ka tronditur politikën shqiptare. Të djathtë dhe të majtë janë bërë bashkë duke shprehur ngushëllimet për familjen Nishani.

Menjëherë sapo u bë publik lajmi, të parët që kanë reaguar ishin demokratët, të cilët sot zgjedhin kryesinë e Partisë Demokratike. Madje, për ironi lajmi u bë publik në një kohë që po bëhej edhe numërimi, ndërkohë që ishte në liste edhe emri i Nishanit.

Në një postim në Facebook, kryetari i PD, Sali Berisha shkruan se Bujar Nishani ishte “Burrështetasi i shquar” dhe një prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.

Berisha thekson se “Ndaj sot eshte dite zie dhe dhimbje te thelle per familjen e nderuar Nishani qe humben bashkëshortin dhe prindin e tyre te mrekullueshëm e shebullor, per miqtë dhe te afermit e tij qe humben nje mik te dashur qe do ju mungoje gjithmonë, per Partine Demokratike qe humbi njerin prej drejtuesve me te talentuar, per shtetin dhe kombin shqiptar qe humben sot shërbëtorin besnik dhe te përkushtuar, shtetarin e afte e te ndershëm, patriot dhe fisnik”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta tha se Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion.

Ndërsa kryeministri Rama në një postim shkurt shkruajti: U prehtë në paqe! Ngushëllime familjes.

Edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u shpreh se Nishani ishte zyrtari, ushtaraku, qytetari i shtetit e miku i mirë, që karakterizohej nga integriteti dhe vlerat më të larta njerëzore.

Të shumta ishin edhe ngushëllimet nga kolegë të tjerë të Nishanit që kanë punuar me të gjatë angazhimit të tij politik.

Vdekja e Nishanit ka tronditur edhe politikën në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se ish-Presidenti ishte model i atdhetarit të pashoq, i cili përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën pareshtur. Sipas Osmanit, ish-Presidenti një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet.

Ndërsa Albin Kurti shkruan se gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, Nishani me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar.

Ish-Presidenti Nishani, u nda sot nga jeta në moshën 56 vjeçare në një spital në Gjermani. Ai ndodhej aty prej më shumë se një muaj, ku po merrte trajtim mjekësor.

Ish-kreu i shtetit shqiptar fillimisht u shtrua në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, por me kërkesë të të birit (student mjekësie në Gjermani) ai u dërgua aty për të qenë nën survejimin e mjekëve gjermanë.

Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me koronavirus disa muaj më parë, por sot ai mbylli sytë përgjithmonë.

Bujar Nishani ka lindur më 29 shtator 1966 dhe mandatin presidencial, ai e mori në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017.

Related Articles

Back to top button
Close
Close