
Ish-sulmuesi suedez Zlatan Ibrahimoviç ka kritikuar ashpër Granit Xhakën për vendimin e tij që të mos ia lërë penalltinë talentit të ri Manzambi, i cili kishte mundësinë të kompletonte një tregolësh në ndeshjen e Botërorit 2026.
Në një reagim të fortë, Ibrahimoviç vuri në pikëpyetje mënyrën se si disa futbollistë flasin për frymën e skuadrës dhe lidershipin, por sipas tij nuk e dëshmojnë këtë në momentet vendimtare.
“Nuk i kuptoj disa futbollistë. Flasin çdo ditë për familjen, frymën e ekipit dhe lidershipin, por kur një djalosh është vetëm një gol larg një tregolëshi, papritur të gjitha këto harrohen sapo akordohet një penallti”, u shpreh Ibrahimoviç.
Sipas legjendës suedeze, pikërisht përvoja dhe statusi i Xhakës duhej ta shtynin atë t’ia linte goditjen të riut.
“Xhaka është një emër i madh dhe një kapiten me përvojë, por pikërisht për këtë arsye duhej ta jepte topin. Askush nuk do ta kujtojë një veteran që shënon edhe një penallti tjetër. Njerëzit kujtojnë një të ri që prezantohet para botës me një tregolësh. Kështu ndërtohet vetëbesimi dhe e ardhmja e futbollit”, deklaroi ai.
Ibrahimoviç theksoi se Manzambi kishte qenë ndër lojtarët më të mirë në fushë dhe sipas tij e kishte merituar atë moment.
“Nëse nuk do të kishte bërë asgjë gjatë ndeshjes, atëherë merre vetë penalltinë. Por ai ishte një nga më të mirët në fushë. E kishte fituar atë moment. Ndonjëherë futbollistët janë aq të fiksuar të jenë personazhi kryesor, sa harrojnë se si duket lidershipi i vërtetë.”
Në fund, Ibrahimoviç dërgoi edhe një mesazh të qartë për rolin e kapitenit në futboll.
“Për mua është e thjeshtë: nëse je tashmë i konsoliduar dhe i mohon një lojtari të ri mundësinë për një tregolësh, atëherë mos më fol për lidershipin. Më trego veprimet e tua, jo shiritin e kapitenit.”, përfundoi suedezi.



