
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencë për media mbrëmjen e së premtes, për atë që po cilësohet si falsifikim i raporteve, me ndërhyrje të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.
Zyrtari i kësaj partie, Berat Rukiqi duke folur para gazetarëve në lidhje me ndryshimin e raportit ku thuhej se pushteti ka harxhuar 31 milionë euro në karburant, tha se ky është një rast i paprecedentë që nuk ka ndodhur më parë.
“Jemi në këtë konferencë në orët e vona për një rast të paprecedentë që ka ndodhë, një rast i rëndë i ndërhyrjes institucionale, Qeverisë së Kosovës në institucione të pavarura, në këtë rast te raportet e Zyrës Kombëtare e Auditimit. E thashë që është një rast i paprecedentë për shkak se një të tillë nuk e kemi parë asnjëherë në demokracinë modern të Kosovës, dhe për më shumë, nuk është vetëm ndërhyrje në numra, por falsifikim i raporteve zyrtare që kanë qenë publike nga gushti i këtij viti.”, u shpreh Rukiqi.
Tutje, ai ka thënë se Qeveria ka shpenzuar trefish më shumë se sa mesatarja në naftë dhe karburant:
“Bëhet fjalë për raportin zyrtar të auditimit të financave publike, këtë punë që duhej të kryhej në mënyrë të pavarur nga Zyra e Auditorit, dhe si e tillë është dashur të qëndrojë. Ndërhyrja e ministrit të Financave, i cili pas humbjes së argumenteve me nënkryetaren e LDK-së, Hykmete Bajrami, ndërhynë dhe pastaj ZKA e falsifikon raportin, në rastin në fjalë kemi të bëjmë me çështjen e shpenzimeve për naftë. Një Qeveri e cila shfrytëzon në naftë dhe karburante të tjera 31 milionë euro, që është trefish më shumë se sa mesatarja që ka qenë para ardhjes së kësaj qeverie. Sigurisht, duke parë këtë krim ata sot ndërhynë në mnyrën më të paimagjinueshme, por njëkohësisht, vetëm ashtu siç dijnë të bëjnë ata me manipulime, propagandë dhe falsifikime”.



