
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, deklaroi se Moska po komunikon me Shtetet e Bashkuara lidhur me Ballkanin dhe është e gatshme të zhvillojë më tej këto kontakte.
“Kemi më shumë mundësi për të komunikuar me SHBA-të sesa me Bashkimin Europian për Ballkanin, për Bosnje-Hercegovinën dhe vendet e tjera të rajonit. Këto kontakte po vazhdojnë. Ende nuk kanë sjellë rezultate pozitive apo konkrete, por ne jemi të hapur dhe kolegët tanë amerikanë janë të gatshëm t’i zhvillojnë më tej”.
Lavrov u ndal edhe te marrëveshja e fundit në Serbi, ku kompania hungareze MOL ka arritur një dakordësi për të blerë një pjesë te aksioneve të rafinerisë serbe të naftës NIS.
“Marrëveshja që sapo është bërë në Serbi është e dobishme për të dyja palët. Meqë ra fjala, edhe presidenti Vuçiç e tha këtë kur erdhi në Davos dhe u pyet për këtë çështje”.
I pyetur nga gazetarët Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka komentuar mbi mosmarrëveshjen e SHBAve me Evropën për të ardhmen e Groenlandës, duke vënë në pikëpyetje statusin aktual të ishullit si pjesë e Danimarkës. Ai tha se Groenlanda nuk është një pjesë natyrale e mbretërisë skandinave.



