LajmeRajon

Lajçak dhe Escobar koordinohen për takimin e ardhshëm,SHBA: Kritik për të ardhmen e Kosovës themelimi i Asociacionit

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe i dërguari i posaçëm i Ëashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, janë takuar një ditë pas bisedimeve në Bruksel edhe me kryeministrin e Kosovës,

Albin Kurtin, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Lajçak ka thënë se janë takuar për të koordinuar hapat e ardhshëm për takimin tjetër që pritet të mbahet gjatë muajit mars.

“Pas takimit të djeshëm të nivelit të lartë, Escobari dhe unë u ulëm për të koordinuar hapat e radhës për takimin e ardhshëm. U pajtuam për rëndësinë e modaliteteve të implementimit dhe nevojën për të zbatuar të gjitha marrëveshjet ekzistuese të dialogut”, ka shkruar Lajçak.

Në anën tjetër, Ned Price, zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka publikuar një deklaratë për media në të cilën mes tjerash thuhet se, Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE më 27 shkurt dhe mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre.

Në deklaratën e DASH-it thuhet se progresi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE më 27 shkurt dhe mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë. Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së. Progresi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”, thuhet në komunikatën e DASh.

Related Articles

Back to top button
Close
Close