
Këngëtari Labinot Tahiri ka dalë me një thirrje publike, duke ftuar qytetarët, biznesmenët dhe miqtë e ish-krerëve të UÇK-së që të mbështesin një nismë për t’u dhuruar vetura pas kthimit të tyre në Kosovë.
Tahiri propozon që ish-presidenti Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi të marrin secili nga një veturë në vlerë deri në 50 mijë euro, duke theksuar se një Mercedes-Benz do të ishte zgjedhja më e përshtatshme.
Në reagimin e tij, ai shkruan:
“Ju lutem ma përshëndeteni këtë ide dhe dëshirë, ku mendoj se shumë nga ju do ta realizoni.
E kam një dashuri dhe një ide që dua ta shtrij në veprim.
Me lirimin e krerëve të UÇK-së, ish-Presidentit Hashim Thaçi, bacës Jakup Krasniqi, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, në ditën kur ata të kthehen në shtëpi, dua t’u bëjmë nga një veturë dhuratë deri në vlerën 50.000 euro për secilin. Mendoj se një Mercedes-Benz do të ishte zgjedhja më e mirë, pa e bërë këtë nismë ekstravagante.
Arsyeja është e thjeshtë. Këta burra e kaluan kufirin shqiptaro-shqiptar qindra herë nëpër male për ne, për lirinë tonë dhe për shtetin që e gëzojmë sot. Prandaj, kur të kthehen të lirë, le t’ua shpërblejmë sadopak atë mund, atë sakrificë dhe atë rrugëtim të vështirë që e bënë për popullin e tyre.
Ata e mbrojtën Kosovën me trupin dhe jetën e tyre. Luftuan që ne sot ta kemi flamurin, shtetin dhe lirinë. E mbi të gjitha, nuk lejuan që lufta e drejtë e UÇK-së të njollosej, por e mbrojtën me dinjitet deri në fund.
Unë, si Labinot Tahiri, dhuroj 10.000 euro për këtë iniciativë. Ftoj biznesmenët, miqtë dhe shokët e çlirimtarëve që bashkë t’i mbledhim rreth 200.000 euro për këto dhurata.
Atëherë e fituan luftën duke bartur armatimin me kuaj e gomarë nëpër male. Sot, kur të kthehen të lirë në tokën e tyre, le të ecin me qetësi, me dinjitet e me komoditet, sepse këtë e meritojnë çlirimtarët e Kosovës.
Kjo nuk është thjesht një veturë. Është një shenjë mirënjohjeje nga populli për njerëzit që sakrifikuan rininë dhe lirinë e tyre që ne sot ta gëzojmë tonën.
Sinqerisht e me zemër,
Labi, Kosovë e Shqipërisë.”



