
Edhe tri ditë kanë mbetur nga përfundimi i një afati 30 ditor që Gjykata Kushtetuese e dha për konstituimin e Kuvendit, ndonëse seancat e tij kanë vazhduar sikur s’ka ndodhur gjë. Po për ta nxjerr vendin nga kriza Presidentja Osmani iu drejtua një ditë më parë Gjykatës Kushtetuese me 7 kërkesa në mesin e të cilave edhe vendosjen e masës së përkohshme. Kushtetuesja tha se është duke e proceduar kërkesën e Presidentes, por bëri me dije gjithashtu se aktualisht po shqyrton kërkesat e PDK-së dhe LDK-së për mënyrën e votimit.
“Kërkesat e reja përkitazi me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës janë duke u shqyrtuar. Kërkesa e dorëzuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës më 22 korrik 2025 aktualisht është duke u proceduar nga Gjykata.”, grafika nga Gjykata Kushtetuese.
Presidentja Osmani ka kërkuar nga kushtetuesja që të qartësojë pasojat juridike në rast se nuk konstituohet kuvendi pas përfundimit të afatit 30 ditor. Afati prej 30 ditëve përfundon të dielën. Megjithatë, ish-kryetari i gjykatës së Apelit, Hasan Shala, vlerëson se vendosja e afatit prej 30 ditëve është kundër frymës kushtetuese dhe se nuk mund të ketë as pasoja juridike.
“ Nuk ka pasoja juridike, nuk do të ndodh kurgjo do të vazhdohet kështu çdo 48 sepse kushtetuta nuk ka mujtë me parapa që kemi me ardh në një kësi ngërçi”, tha Shala për RTV21
Ndryshe mendon drejtori i institutit kosovar për drejtësi, Ehat Miftaraj. Ai vlerëson se Kushtetuesja mund të nxjerrë pasoja juridike mbi abuzimin e të drejtës për propozim të kandidatit.
“ Meqë 51 herë je duke dështu me të njëjtin kandidat mund të ia jap subjektit tjetër politik që i ka numrat, sikur në rastin për formimin e qeverisë…”, tha Miftaraj.
Përveç qartësimit se çka do të ndodhë pas të dielës lidhur me ngërçin e krijuar në Kuvend, presidentja Osmani ka kërkuar nga Gjykata një masë të përkohshme, që ka ngjallur një valë reagimesh në opinion, meqë u pa si një kërkesë për të blerë kohë për LVV-në. Megjithatë, edhe në këtë pikë ekspertët e fushës ndajnë mendime të ndryshme, ndonëse për vlerësimin e tyre, Kushtetuesja nuk do ta marr parasysh këtë kërkesë.
“ Kjo nuk është ndihmë për Albin Kurtin, përkundrazi mendoj që më shumë është një përpjekje për t’i ruajtur institucionet në këtë kaos të krijuar…”, shtoi Miftaraj.
Në anën tjetër, njohës të çështjeve politike vlerësojnë se Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i japë zgjidhje problemeve politike. Analisti politik, Bekim Selishta thotë se nga ngërçi i krijuar më së shumti po e pësojnë qytetarët në Kosovë.
“Kushtetuesja si gardian i shtetit e thotë fjalën e saj e cila duhet të rrespektohet nga të gjithë edhe pse mund të mos i pëlqej njërës palë. Pasi që në fund të ditës qytetarët po përballen me inflacionin e lartë…”, tha Selishta.
Ndryshe kryeministri në detyrë, Albin Kurti ditë më parë në një konferencë për media ka deklaruar se as ata që kanë vendosur afate kohore për konstituimin e kuvendit nuk e dinë se çfarë ndodh pasi që këto afate të përfundojnë./RTV21



