
Ish-Presidenti i Finlandës dhe fituesi i çmimit Nobel për Paqen, Marti Ahtisaari ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare. Lajmin e trishtë e bëri me dije zyra e Presidentit finlandez.
Ahtisaari u ngarkua nga OKB-ja në vitin 2005 për të gjetur një zgjidhje kompromisi për statusin e Kosovës si një mënyrë për t’i dhënë fund bllokimit që pasoi luftën e vitit 1999 dhe ndërhyrjen e NATO-s. Plani i tij për pavarësinë së bashku me të drejtat e gjera të pakicave, u refuzua nga Serbia dhe Rusia, megjithatë, Kosova me mbështetjen perëndimore shpalli pavarësinë në 17 Shkurt të 2008-ës.
Kujtojmë se në vitin 2008, Ahtisaari u vlerësua me çmimin Nobel për paqen për ndërmjetësimin e tij në Kosovë dhe një varg konfliktesh të tjera në mbarë botën.
Ahtisaari ishte gjithashtu i përfshirë në ndërmjetësimin e Pavarësisë së Namibisë nga Afrika e Jugut në 1989 dhe ndërmjetësimin e paqes në 2005 midis qeverisë indoneziane dhe separatistëve në Aceh.



