Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, Antero Lopes. Kurti e uroi Lopes për detyrën e re dhe i dëshiroi sukses gjatë përmbushjes së mandatit të tij.
Gjatë bisedës, Kurti vlerësoi kontributin e vazhdueshëm të EULEX-it në Kosovë, veçanërisht në monitorimin e sistemit të drejtësisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës.
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua vijimit të mbikëqyrjes së performancës së institucioneve të drejtësisë, si dhe mënyrës së trajtimit institucional të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Kryeministri shprehu mirënjohje për angazhimin dhe monitorimin e EULEX-it në këtë drejtim. Ai theksoi se nevojitet një reagim i shpejtë dhe i bashkërenduar mes Policisë, Prokurorisë, gjykatave dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, duke vendosur në plan të parë mbrojtjen e viktimave.
Situata e sigurisë dhe bashkëpunimi mes institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe partnerëve ndërkombëtarë ishte gjithashtu pjesë e takimit.
Kurti vuri në dukje rëndësinë e koordinimit të pandërprerë, shkëmbimit të informatave dhe rritjes së vëmendjes ndaj kërcënimeve të sigurisë, përfshirë sigurinë e infrastrukturës kritike.
Ai rikonfirmoi angazhimin e Qeverisë për forcimin e institucioneve të sundimit të ligjit dhe gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë e konstruktiv me EULEX-in gjatë mandatit të Lopes.



