
Për të tretën herë radhazi, është mbajtur sot Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor, sivjet nën titullin frymëzues “Forcë në Diversitet, ku pjesëmarrës në këtë ngjarje ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Fillimisht, Kurti falënderoi të gjithë për punën e tyre në muajt ndërmjet samiteve, për arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta: një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe pa diskriminim racor.
‘’Gjatë muajve që kanë kaluar që nga samiti i fundit, kemi promovuar edhe më shumë platformën për raportimin e diskriminimit, dhe rastet e raportuara aty janë adresuar nga ekipi përkatës. Qeveria jonë gjithashtu po e harton një ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi, në përputhje me standardet për të drejtat e njeriut të Këshillit të Evropës, duke trajtuar diskriminimin racor dhe antigjipsizmin’’, u shpreh kryeministri, duke shtuar se ky është një proces gjithëpërfshirës, së bashku me shoqërinë civile, nën koordinimin e Zyrës për Qeverisje të Mirë.



