
Një kontratë për riparimin e vagonëve të ndërmarrjes publike hekurudhore Trainkos në Serbi ka hapur një debat të fortë politik në Kosovë. Opozita akuzon qeverinë në detyrë të Albin Kurtit se ka dërguar mbi 423 mijë euro në Serbi për riparimin e vagonëve, ndërsa e cilëson kontradiktor bashkëpunimin ekonomik me Beogradin, në një kohë kur raportet politike mes dy vendeve mbeten të tensionuara.
Sipas dokumenteve të publikuara nga zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, përfaqësues të Trainkos kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Serbi në kuadër të projektit “Riparim i Mesëm i Vagonëve”. Në dokumentin e bërë publik, Komisioni për Pranimin e Projektit njofton drejtuesit e ndërmarrjes për udhëtimin e përfaqësuesve drejt Serbisë, ku janë kryer procedurat për pranimin e punimeve.
Çështja u bë publike pasi një punonjës i Trainkos, Asdren Ademi, shkroi në rrjetet sociale se vagonët po riparoheshin në Serbi. Pas këtij publikimi, ndaj tij u morën masa disiplinore dhe ai u largua nga puna. Vetë Ademi pretendon se shkarkimi ishte i padrejtë, ndërsa Trainkos nuk ka dhënë një sqarim publik për rastin.
Publikimi i dokumenteve ka sjellë reagime të forta nga opozita.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, e lidhi kontratën me zhvillimet pas sulmit në Banjskë.
“I japin kontratë Serbisë. Shkojnë në Serbi për renovim të vagonëve. Krejt kjo në vitin 2024, pra veç pak muaj pas sulmit paramilitar në Banjskë. Paratë e popullit të Kosovës i çuan në Serbi!”, shkroi Ramadani.
Ai reagoi edhe për largimin nga puna të punonjësit që bëri publik rastin.
“Kur një punëtor i brendshëm e thotë këtë publikisht, në vend që të shkarkohet ministrja, e heqin prej pune punëtorin! Tash shkarkimi është pak!”, deklaroi ai.
Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ngriti pikëpyetje për kontratën dhe funksionimin e transportit hekurudhor.
“Riparim të vagonëve në Serbi paska pas në fundvit të 2024, po pse në 2025 nuk ka pas transport të mallrave me vagonë treni?! Kjo nuk ka ndodh më herët, të paktën brenda 10 viteve”, shkroi ajo.
Pas kritikave reagoi ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila hodhi poshtë pretendimet se bëhet fjalë për një praktikë të re të qeverisë Kurti.
Në një reagim në Facebook, ajo tha se vagonët janë dërguar për riparim në Zrenjanin të Serbisë që në vitin 2017.
“Vagonët janë dërguar për riparim në Zrenjanin në Serbi për herë të parë më 2017, sapo janë blerë, në procedurë të nisur në kohë të Qeverisë Mustafa e të përuruar në kohë të Qeverisë Haradinaj, nga ministri Pal Lekaj. A ka qenë AAK-ja e brengosur për këtë çështje në vitin 2017 kur ministri i tyre e prente shiritin për vagonët e riparuar në Serbi?”, shkroi Rizvanolli.
Debati ka marrë jehonë të gjerë në Kosovë, pasi opozita e konsideron kontratën të papranueshme në kushtet e marrëdhënieve me Serbinë, ndërsa qeveria argumenton se riparimi i këtyre vagonëve në Serbi nuk është një praktikë e nisur gjatë mandatit të saj, por një procedurë që është ndjekur edhe nga qeveritë e mëparshme.




