
Kanë kaluar katër ditë nga takimi i fundit që kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi me liderët e PDK-së dhe LDK-së për formimin e institucioneve, por gjatë kësaj kohe ai nuk ka marrë asnjë iniciativë për vazhdimin e takimeve. Përfaqësues të LVV-së nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës nëse kryeministri do të dërgojë së shpejti ftesa të reja për takime. Deri më tani, e vetmja parti që ka shprehur gatishmëri për vazhdimin e dialogut me LVV-në është LDK-ja.
Gjatë ditës, kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim me kryetarin e këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku. Pas më shumë se tri orësh takim, Osmani nuk dha detaje para gazetarëve.
“Është deklaruar sekretari i LDK-së. E mbështes atë deklaratë. Ju lus për mirëkuptim.”, tha Osmani.
Sekretari i LDK-së, Ilir Ferati, bëri të ditur se ende nuk kanë pranuar një ftesë të re për takim nga Kurti. Megjithatë, ai tha se, nëse një ftesë e tillë vjen, synimi i LDK-së mbetet arritja e një marrëveshjeje të bazuar në parime.
“Ende jo. Nuk kemi ftesë as ne. Unë i kam dëgjuar me kujdes edhe zotin Abdixhiku, edhe zotin Kurti, dhe asnjëri nuk ka deklaruar se është diskutuar për një ofertë klasike politike. Me sa kam informacion nga kryetari dhe nga deklarimet e tij publike, diskutimet kanë qenë rreth parimeve mbi të cilat duhet të ndërtohet një marrëveshje që do t’i stabilizojë institucionet e Republikës së Kosovës, e jo rreth pozitave politike apo emrave konkretë se kush do ta marrë cilën pozitë.”, u shpreh Ferati.
Ndërkohë, gjatë ditës, Grupi Parlamentar i PDK-së mbajti mbledhje për të diskutuar hapat e mëtejmë lidhur me formimin e institucioneve. Deputeti i këtij subjekti politik, Eman Rrahmani, dha arsyet pse PDK-ja ka vendosur të mbetet në opozitë.
“Ka sjellë kriza, ka sjellë mungesë të zhvillimit ekonomik…”, tha Rrahmani.
Edhe AAK-ja ka vendosur të mos bashkëpunojë me LVV-në në formimin e Qeverisë. Megjithatë, ky subjekt politik e ka lënë të hapur mundësinë që, nëse Kurti i merr parasysh gjashtë kërkesat e tyre, deputetët e AAK-së të qëndrojnë në sallë gjatë votimit për presidentin.
“Nuk kanë reflektuar ndaj kërkesave të AAK-së dhe nuk kemi çka të negociojmë, sepse nuk dëshirojmë të jemi partnerë me LVV-në në Qeveri. Nuk kemi ndonjë kërkesë tjetër. Nëse reflektojnë ndaj kërkesave të AAK-së, ne jemi zotuar se do të qëndrojmë në sallë për zgjedhjen e presidentit.”, tha Time Kadriaj nga AAK-ja.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas takimeve të së premtes me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së, kishte deklaruar se i kanë votat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë, duke kërkuar që për çështjen e presidentit të gjendet një konsensus politik.



