LajmeRajon

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka quajtur të panevojshme shtyerjen e zgjedhjeve nacionale, prej 26 janarit, e cila ishte kërkesë e PDK-së, në 9 shkurt. Megjithatë, Krasniqi ka thënë se tashmë kjo nuk ka rëndësi, meqë, sipas tij, e rëndësishme është se tani kemi një datë, e cila do të shënojë ikjen e një qeverie të papëregjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën. “Siç na e dëshmon edhe historia, me PDK-në dhe Bedriun në timon, Kosova do të rikthehet në rrugën e munguar të zhvillimit, integrimit, partneritetit e miqësisë së mirëfilltë. Është koha që të bëhemi bashkë edhe një herë për Kosovën që e ëndërrojmë të gjithë”, ka shkruar Krasniqi. Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës në takimin e fundit me Presidenten Osmani për t’u koordinuar për datën e zgjedhjeve, kishte kërkuar që data e parë ligjore e mundshme, që ishte 26 janari, të ishte data kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta. Sipas PDK-së, çdo shtyrje e zgjedhjeve e cila ia zgjatë jetën kësaj qeverie, është në dëm të shtetit dhe qytetarëve.

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, i ka ftuar simpatizantë e partisë së tij që më 9 shkurt të bëhen bashkë “për t’u ngritur si një”.

“Vit i ri, Rrugë e re! Lidhja Demokratike e Kosovës dje, sot, përherë! Le të bëhemi bashkë! Më 9 shkurt, le të ringritemi si një”, shkroi ai në Facebook.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka caktuar datën 9 shkurt të vitit 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

Me anë të dekretit, e para e shtetit e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për kuvendin e Kosovës.

Presidenca thotë se kjo është një datë optimale që balancon preferencat e të gjitha palëve të përfshira.

Related Articles

Back to top button
Close
Close