
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, zhvilloi një takim lamtumirës me Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Maqedoninë e Veriut, Sh.T. Fatih Ulusoy, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik në vend.
Gjatë takimit, Kryetari Gashi shprehu mirënjohjen për punën dhe përkushtimin e ambasadorit Ulusoy, si dhe për kontributin e tij në avancimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.
Gashi theksoi se dy vendet kultivojnë një miqësi të fortë tradicionale, partneritet dhe lidhje të thella historike e kulturore, të cilat janë reflektuar edhe në bashkëpunimin parlamentar, ekonomik dhe institucional.
Në përfundim të takimit, Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i uroi ambasadorit Fatih Ulusoy suksese në angazhimet e ardhshme profesionale, si dhe shëndet, lumturi personale dhe familjare.
Ai shprehu bindjen se Ulusoy, si mik i dëshmuar i Maqedonisë së Veriut, do të vazhdojë të kontribuojë edhe në të ardhmen në forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.



