BotaTopLajm

Kryeparlamentari turk në Shqipëri: FETO përbën kërcënim për të gjitha vendet ku operon

Presidenti i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, i cili gjendet për vizitë në Shqipëri, paralajmëroi se organizata terroriste FETO përbën kërcënim ndaj sigurisë së çdo vendi në të cilin operon, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në ditën e dytë të vizitës së tij, Şentop e quajti Shqipërinë vend mik dhe vëlla. Ai tha se ndihet i lumtur për vizitën, duke theksuar se ai ka zhvilluar takime shumë të frytshme me presidentin Ilir Meta, homologun Gramoz Ruçi dhe kryeministrin Edi Rama.

Ai tha se marrëdhëniet Turqi-Shqipëri zhvillohen në nivel të mirë në të gjitha aspektet.

“Midis Shqipërisë dhe Turqisë ekzistojnë lidhje historike dhe kulturore. Për më tepër, numri i popullsisë me origjinë shqiptare në Turqi është i përafërt me numrin total të popullsisë shqiptare në Ballkan. Ata përbëjnë një lidhje të fortë dhe urë midis dy vendeve”, shtoi kryeparlamentari turk.

Ai po ashtu tha takimet midis kryeministrit Rama dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, në fillim të janarit në Ankara dhe Marrëveshja e Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë e nënshkruar gjatë kësaj vizite i kanë avancuar marrëdhëniet, tashmë të mira në çdo fushë, në një nivel ndryshe dhe më të lartë.

Şentop deklaroi se gjatë vizitës së tij ka diskutuar edhe lidhjet ndër-parlamentare, konkretisht rritjen e kontakteve midis grupeve të miqësisë dhe komisioneve ekonomike.

Ai shprehu shpresë për rritjen e vëllimit tregtar midis dy vendeve në periudhën në vijim.

“Shpresojmë që brenda disa viteve, pra synojmë, që atë ta dyfishojmë, ta çojmë në mbi 1 miliard dollarë”, tha Şentop

Şentop paralajmëron opionionin shqiptar në lidhje me FETO-n

Kryetari i parlamentit të Turqisë paralajmëroi opinionin shqiptar në lidhje me organizatën terroriste FETO, duke rikujtuar se ky grup qëndron prapa tentativës për grusht shteti në Turqi më 15 korrik të vitit 2016 dhe se për këtë kanë dalë në dritë prova të shumta.

Şentop theksoi se FETO është “organizatë shumë tinëzare që fsheh qëllimet e saj reale dhe aktivitetet reale me maska ​​që duken të pafajshme në shumë vende, të tilla si institucionet arsimore, organizatat mediatike dhe organizatat joqeveritare”.

“Ajo është organizatë që ruan praninë edhe në disa vende jashtë Turqisë. Në mesin e tyre ka persona që janë arratisur nga Turqia në vende të tjera, por edhe persona që kanë vepruar më herët në ato vende. Atyre që ne u themi anëtarë të FETO-s nuk janë vetëm persona që kanë ardhur nga Turqia apo shtetas të Turqisë. Për arsye se kanë vepruar për një kohë të gjatë në vendet ku gjenden, ata kanë fituar edhe shtetas të atyre vendeve, fëmijët e tyre, i kanë shndërruar në punonjës të organizatës. Prandaj, ata nuk duhet shikuar si 10, 20 apo 100 persona të ardhur nga Turqia, por duhet menduar edhe disa anëtarë që janë shtetas të atyre vendeve të cilët janë janë trajnuar nga ta (FETO)”, tha Şentop.

“Kjo organizatë përbënte kërcënim dhe rrezik sigurie për Turqinë. Turqia e evitoi këtë. Por unë dua të them se kjo organizatë përbën kërcënim sigurie edhe për vendet ku vepron. Ne i paralajmërojmë të gjitha vendet mike dhe vëllazërore për këtë çështje”, shtoi ai.

“Ne gjithashtu kemi njohuri për ekzistencën e disa anëtarëve të kësaj organizate në Shqipëri. Ne e dimë se veprojnë nën maskën e disa institucioneve, kompanive, institucioneve arsimore. Agjencitë tona të sigurisë, veçanërisht agjencitë e inteligjencës, ministritë tona përkatëse dhe gjyqësori janë gjithnjë në kontakt për këtë çështje. Anëtarët e kësaj organizate, të gjykuarit, të kërkuarit, duhet ekstraduar në Turqi. Asnjë vend nuk duhet të tolerojë aktivitetet e kësaj organizate”, tha po ashtu kryeparlamentari turk, duke paralajmëruar se “përvoja e hidhur” në Turqi mund t’u ndodhë ngjashëm edhe vendeve të tjera.

“Miqësia e Turqisë nuk përbëhet vetëm nga fjalët, por shihet në praktikë”

Në mes tjerash, kryeparlamentari turk foli edhe mbi spitalin që po ndërtohet nga Turqia në qytetin e Fierit, duke thënë se ky spital do të përfundojë dhe do të fillojë punën në një kohë të shkurtër.

Şentop u shpreh se krahas aktiviteteve, ai do të shërbej edhe për shkëmbim njohurish dhe përvojash midis dy vendeve.

Ai po ashtu tha se gjatë pandemisë Turqia ka ndihmuar Shqipërinë me pajisje shëndetësore dhe ka qëndruar pranë popullit shqiptar në çdo situatë nevoje.

“Turqia nuk është si ato vende mike, në thonjëza, që vazhdimisht monitorojnë, japin detyra dhe vetëm flasin”, tha Şentop.

“Turqia është vend që kur ka ndonjë problem thotë ‘Eja ta zgjidhim së bashku, t’ia dalim’; që bën punë dhe jep mbështetjen fizikisht. Ne kishim një slogan: ‘Ata flasin, Turqia e bën’. Andaj, miqësia e Turqisë është miqësi që duket qartë në ditë të zeza dhe nuk përbëhet vetëm nga fjalët, por shfaqet në praktikë në terren”, shtoi ai.

I pyetur në lidhje me Bursat e Turqisë, Şentop tha se Turqia, me institucione të ndryshme, tashmë 30 vjet u ofron bursa shumë të rinjve në Shqipëri dhe se do të vazhdojë ta bëjë të njëjtën.

Ai theksoi rëndësinë që të rinjtë e arsimuar të kontribuojnë në zhvillimin e vendeve të tyre.

Investimet turke në Shqipëri, mbi 3,5 miliardë dollarë

Duke theksuar se Turqia është vendi me investimet më të mëdha në Shqipëri, Şentop u shpreh se investimet turke në vend janë mbi 3,5 miliardë dollarë.

Mbi 600 firma turke, tha ai, veprojnë në Shqipëri, duke ofruar vende pune për mbi 15 mijë shtetas shqiptarë.

“A mund të bëhet më shumë? Pa dyshim që po. Duhet hedhur disa hapa tërheqës për investitorët në mënyrë që të vijnë më shumë investime nga Turqia dhe të zgjidhen problemet me të cilat përballen investitorët”, deklaroi kryetari i parlamentit turk, Mustafa Şentop.

Related Articles

Back to top button
Close
Close