LajmeMaqedoniTopLajm

Kryeministri bullgar, Kiril Petkov do të vizitojë Shkupin, a do ti hapet rruga RMV

Мë 18 janar kryeministri bullgar, Kiril Petkov do të vizitojë Shkupin. Do të vijë i shoqëruar nga ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve. Pritet që në gjatë takimit të rikonfirmohet progresi i arritur mes dy vendeve dhe të vendoset komunikim intensiv për tejkalimin e mosmarrëveshjeve për çështje dypalëshe mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Bisedimet do të fokusohen në zbatimin e vazhdueshëm të Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim të nënshkruar mes dy vendeve në gusht 2017, si dhe vazhdimin e përpjekjeve për sigurimin e mbështetjes për fillimin e negociatave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Po a mund të shihet vizita e Petkovit, si një shpresë për zgjidhje të kontestit me Bullgarinë dhe hapjen e rrugës drejt BE-së? Andrea Stojkovski, ekspert për politikë të jashtme, thotë se në deklaratat e kryeministrit bullgar ka shenja optimizmi që në disa çështje mund të kemi epilog pozitiv.

“Një vizitë e tillë, mënyra se si flet kryeministri aktual Petkov, vënia e theksit tek pritjet se duhet të flasim për zhvillim të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit, më shumë se sa për problemet që na ngarkojnë, na jep të drejtën të jemi optimist se për disa punë ndoshta do të arrijmë të gjejmë gjuhë të përbashkët”, u shpreh Andrea Stojkovski – analist për politikë të jashtme.

Nëse Bullgaria edhe në 6 muajt e ardhshëm vazhdon me veton ndaj Maqedonisë së Veriut, Shqipëria do të kërkoj ndarjen nga pakoja me Maqedoninë e Veriut, tha ditë me parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Po Stojkovski thotë se Rama mund ta bëjë kërkesa të tillë, por kjo nuk do të ndodhë sepse një gjë e tillë varet nga konsensusi mes vendeve anëtare të BE-së.

“Disa vende mund të kenë interes nga ndarja e tillë, p.sh Bullgaria ka interes sepse me këtë do të arrinte qëllimin që e ka, bllokimin e vendit tonë që të mund sa më shumë të kërkojë në negociata ose të ketë më shumë peshë gjatë negociatave. Nuk jam i sigurt nëse vendet tjera do të ishin pajtuar me ndarjen e pakos. Prandaj mendoj se një gjë e tillë nuk do të ndodhë”, shtoi analisti për politikë të jashtme, Andrea Stojkovski.

Vizita e delegacionit bullgar do të ndodhë menjëherë pas hyrjes në funksion të Qeverisë së re në vend, ndërsa sipas MPJ-së bullgare vizita do të shënojë fillim të ri në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale mes Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vizita e delegacionit bullgar do të ndodhë në 30-vjetorin e njohjes së pavarësisë së Maqedonisë së Veriut nga ana e Bullgarisë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close