LajmeMaqedoni

Krum Efremov do të jetë ambasador i Maqedonisë së Veriut në Sofje

Në vijim janë përgatitjet për shkuarjen e diplomatit Krum Efremov për ambasador në Sofje, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencë për shtyp.

“Kur flasim për procedurën e emërimit të ambasadorëve dhe konsujve të përgjithshëm, ajo në një fazë të caktuar është e klasifikuar dhe nuk guxoj të komentoj për emrat. Kur bëhet fjalë për ambasadorin në Sofje, procedura tashmë është në fazë ku nuk është më informacion i klasifikuar dhe mund të ndaj publikisht se ambasador i ynë në Bullgari do të jetë ambasadori Krum Efremov, diplomat profesionist, një nga diplomatët më cilësorë, do të thoja, sipas mendimit tim, megjithëse kemi kolegë të shkëlqyer në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por një diplomat vërtet cilësor i yni, drejtori aktual i Drejtorisë për diplomaci ekonomike në Ministri, i cili shërbeu si ambasadori ynë në Ukrainë në të kaluarën dhe ai do të jetë ambasadori ynë në Sofje. Aktualisht po bëhen përgatitje për shkuarjen e tij në Sofje”, tha Mucunski.

Ai përkujtoi se me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për punë të jashtme, të propozuara nga kjo Qeveri, garantojnë përfaqësimin e diplomatëve profesionistë si shefa të misioneve diplomatike dhe konsullore, me një prag të rritur.

“Me ndryshimet dhe plotësimet që ka bërë kjo Qeveri, e të miratuara sigurisht nga Kuvendi, të paktën 50 për qind nga ambasadorët dhe konsujt tanë të përgjithshëm duhet të jenë diplomatë profesionistë nga Ministria e Punëve të Jashtme. Praktika ka treguar se propozimet që kemi publikuar që nga momenti që kemi formuar Qeverinë, mbi 60 për qind e kandidatëve për konsuj të përgjithshëm dhe ambasadorë janë diplomatë profesionistë. Pra, jo vetëm që respektohet zgjidhja ligjore, por po shkojmë edhe mbi minimumin që kemi vendosur të një pragu kaq të lartë”, theksoi Mucunski.

Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve në lidhje me propozimin për ambasador të ri në Athinë, për çka raportuan disa media, Mucunski tha se nuk mund të komentojë sepse procedura është ende në fazë ku është e klasifikuar dhe për këtë arsye nuk mund të komentojë për emrin e kandidatit për ambasador në Athinë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close