
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, u është kundërpërgjigjur disa vendeve të Bashkimit Evropian për atë që ai e cilësoi si reagimin e tyre ‘egoist, përçarës dhe të paligjshëm’ ndaj kalimeve masive të kufirit në Ceuta, ndërsa falënderoi Marokun për ndihmën e tij në përballimin e kësaj krize.
Në një letër drejtuar Brukselit, ai tha se disa shtete evropiane kanë zgjedhur të “sulmojnë” Spanjën dhe të kërkojnë përjashtimin e saj të përkohshëm nga zona Shengen, të nxitura nga “paragjykime, lajme të rreme, injorancë ose interesa politike” që është në kundërshtim me ligjin evropian, ligjin humanitar dhe parimet e solidaritetit të BE-së.
Sanchez argumentoi se në më pak se 48 orë, qeveria e tij arriti të “rikthente plotësisht kontrollin e kufirit, të ofronte ndihmë të gjerë humanitare, të kthente pothuajse të gjithë emigrantët që kaluan kufirin në mënyrë të parregullt dhe të parandalonte çdo lëvizje të paautorizuar drejt Evropës kontinentale”.



