
Mes konfliktit në Iran dhe krizës së energjisë që ai ka shkaktuar, kryeministrja italiane Giorgia Meloni vendosi të udhëtojë drejt Gjirit Persik, një iniciativë kjo të cilën e ndërmori pavarësisht këshillave të shërbimeve sekrete për të mos e hedhur një hap të tillë.
Një ditë më parë, edhe vetë ministrat e saj i uruan në fundin e mbledhjes së qeverisë pushime të mbara për festën e Pashkëve, dhe ajo u përgjigj: “Së shpejti do ta mësoni se ku do të shkoj të pushoj”. Shërbimet e inteligjencës e kishin “këshilluar fuqimisht kundër” misionit në zonën e luftës, të cilin Meloni do ta kishte zgjatur akoma edhe më shumë nëse Kuvajti nuk do të kishte kundërshtuar për “arsye sigurie”. Kështu ajo u detyrua ta kufizojë vizitën në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, ku donte të shprehte personalisht solidaritetin e saj: “Këto janë vende mike të cilat ne ndihmojmë të mbrohen nga sulmet iraniane”, ka deklaruar ajo.
Qëndrimi i Melonit është një distancim i qartë nga Donald Trump, një ndryshim i dukshëm krahasuar me deklaratat e saj të para mbi luftën kundër regjimit iranian.
Kjo për gazetën e njohur, është një mënyrë manovrimi për të shmangur që qëndrimi i presidentit amerikan të ketë kosto politike në Itali. Në të njëjtën kohë është një qëndrim në vijimësi me politikën e Melonit ndaj Uashingtonit: disa muaj më parë për Groenlandën dhe javën e kaluar duke ndaluar përdorimin e bazës ushtarake të Sigonellës “jashtë protokolleve të NATO-s”.



