LajmeRajon

Kritika ndaj Speciales, Albulena Haxhiu flet për mekanizmin që do të monitoronte zbatimin e të drejtave të njeriut

jykata Speciale po kritikohet në Kosovë për mostransparencë, vonesë në nxjerrje të materialeve, si dhe zvarritje të procedurës paraprake. Këto konsiderohet se po cenojnë të drejtat e të akuzuarve që po mbahen në paraburgim prej vjeshtës së vitit 2020. Madje është ngritur diskutimi për themelimin e një mekanizmi ndërkombëtar që do të monitoronte zbatimin e të drejtave të njeriut, për të cilin për flet edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Vitin që shkoi, kjo gjykatë ka shqiptuar dënimin e parë nën pretendimin për krime lufte, dhe një tjetër për pengim të administrimit të drejtësisë. Ndërsa janë dy raste të cilat ende po presin të fillojnë fazën e gjykimit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ngrit nevojën për një mekanizëm për monitorim dhe thotë se një kërkesë të tillë e kanë bërë tek kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Është e vërtetë që kemi diskutuar për një mekanizëm shtesë të ri ndërkombëtar, që do ta bëjë monitorimin e zbatimit të të drejtave të njeriut, sepse kaq mund të bëhet, nuk mund të bëhet më shumë dhe ne kemi adresuar këtë kërkesë edhe të kryetari i Kuvendit, sipas informacioneve që i kam, tashmë janë duke diskutuar për një trupë profesionale që e trajton aspektin e të drejtave të njeriut, sepse nuk ka asnjë instancë ndonjëherë që ka pasur, që nuk e ka pasur një institucion tjetër për ta monitoruar, ta zëmë Tribunali i Hagës e ka pasur OKB-në, mirëpo jo Gjykata Speciale nuk e ka asnjë të tillë”, shton Haxhiu.

Në paraburgim, nën pretendimin për krime lufte, në Hagë po mbahen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Pjetër Shala.

Redaktimet në aktakuzë, vonesa në nxjerrjen e materialeve e përkthimet e dobëta, kanë cenuar të drejtat e tyre sipas Avokatit të Popullit, Naim Qelaj.

“Ajo çka unë kam arrit të kuptoj prej të burgosurve dhe kontakteve që kam pasur me ta, dhe që për mua paraqet shqetësim, janë disa, e para është mungesa e barazisë së armëve, mund ta konstatojmë që një proces gjyqësor i cili nuk e zbaton këtë parim nuk garanton proces të drejtë dhe të paanshëm, në rastin konkret ky pari nuk është respektuar, së paku jo deri më tash, ka ardhur si rezultat i dhënies me vonesë të provave, me vonesë të kufizuar të qasjes nëm këto prova dhe materiale që janë proceduar në këtë gjykatë, dhe tek vet mënyra se si janë proceduar dëshmitarët ose provat e tjera në gjykatë. Redaktimi i aktakuzës, redaktimi i materialeve e cenon edhe një të dejtë tjetër që është e drejta që i akuzuari me iu dhënë të gjitha materialet për të mundur me kuptu se për çka po akuzohet dhe në cilat rrethana”, thotë Avokati i Popullit.

Ndërsa, mbajtjen në paraburgim për më shumë se dy vjet, Qelaj e konsideron zvarritje të procedurave pa ndonjë kriter.

Për ministren e Drejtësisë, shqetësuese në Gjykatën Speciale mbetët aspekti i të drejtave të njeriut, që sipas saj, duhet të trajtohet më seriozitetin më të madh.

“Ajo çfarë unë kam konsideruar është aspekti i të drejtave të njeriut që duhet të trajtohet më seriozitetin më të madh sepse kam bindjen që Avokati i Popullit (në Hagë) që është në fakt avokat paralel, nuk po e kryen detyrën që e ka përgjegjësi, sepse fakti që ka shumë pak staf aty, fakti që nuk na jep asnjë informacion në raport me rastet që ka trajtuar, nuk dua të kuptoj diçka që nuk është në detyrën time por që të mos na japin informacione nëse ka pasur shkelje ndonjëherë, ndonjë rast të të drejtave të njeriut, madje informacione të njëjta as për avokatin e Republikës së Kosovës nuk i kanë dhënë. Mendoj që kjo është problem serioz”, thotë ministrja e Drejtësisë.

Edhe konferencat mbi ecurinë e çështjeve që ishin në procedurë paraprake janë karakterizuar me ankesat sistematike që mbrojtja e të akuzuarve i ka parashtruar e që lidhen me redaktime, të cilat ata i konsiderojnë të tepërta.

Gjatë vitit 2022, u dëgjua edhe ajo që konsiderohet një prej akuzave më të mëdha në drejtim të prokurorisë, ku mbrojtja e ish-Presidentit Hashim Thaçi tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mbajtur të fshehur prova shfajësuese.

“Pa dyshim që nëse këto perëndime të mbrojtjes së Thaçit kanë qenë të vërteta, kemi të bëjmë me shkelje flagrante të drejtave të të pandehurve, pasi që prokuroria në momentin që ka njohuri, në posedim apo kontroll, ndonjë provë, qoftë ajo fajësuese ose shfajësuese, duhet ta njoftojë mbrojtjen dhe gjykatën… Këto pretendime të ngritura nga mbrojtja e zotit Thaçi duhet të sqarohen për opinionin publik nga gjykata në mënyrë që të bindin opinionin publik se gjykimet që po zhvillohen atje, janë duke mbrojtur të gjitha të drejtat e të akuzuarve dhe janë duke u zhvilluar në formë të drejtë, të pavarur dhe të paanshme. Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk guxon të mbështetet në dëshmitarë të cilët mund të fabrikojnë prova, qofshin ato materiale apo personale dhe prova të tilla nuk mund të administrohen në një proces gjyqësor dhe nuk mund të bëhet administrim i mirëfilltë i procesit gjyqësor nëse ndodhë një gjë e tillë”, thotë Medina Kadriu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Gjithashtu, ishte mbrojtja e Kadri Veselit që bëri një parashtresë duke pretenduar se një dëshmitar i ZPS-së, ishte tërhequr nga deklarata e tij, duke thënë se kishte gënjyer pasi kishte qenë i shtyrë nga një informator i cili ka kontakte të rregullta me prokurorinë.

Dosja ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, është kaluar te trupi gjykues por ende nuk ka ndonjë vendim se kur do të fillojë gjykimi ndaj tyre.

Gjithashtu, në pritje të fillimit të procesit gjyqësor është Pjetër Shala.

Ndërsa gjatë vitit 2022, ka përfunduar në shkallë të parë rasti i parë nën pretendimin për krime lufte. Aktgjykimi është shpallur në dhjetor të vitit që shkoi, ndaj Salih Mustafës i cili u dënua me 26 vet burgim.

Ky është dënimi i parë nën pretendimin për krime lufte që është shpallur nga kjo gjykatë, pas shtatë vjet themelimi.

Derisa një aktgjykim tjetër fajësues është shpallur ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët janë akuzuar për pengim të administrimit të drejtësisë.

Ky rast është proceduar edhe në Gjykatën e Apelit por ende nuk ka një vendim nga kjo trupë, lidhur me ankesën e parashtruar nga mbrojtja e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

“Sa i përket gjykimeve, e kemi ish Tribunalin e Hagës, i cili tetë vite nga themelimi i tij i ka përfunduar 32 raste në shkallë të parë, pa i përfshirë këtu edhe rastet që iu kanë kthyer në rigjykim dhe prapë i ka zgjidh. Kurse e kemi rastin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, e cila pas shtatë vitesh e dha aktgjykimin e parë për krime lufte, ndërsa pothuajse gjashtë vite nga themelimi veç i ka filluar dy gjykime, kështu që padyshim që ka një dallim enorm në ndërmarrjen e veprimeve në mes këtyre dy gjykatave që mund të përkthehet në joefikasitet. Po ashtu, këtu duhet me përmend faktin që shtetet nuk kanë qenë të obliguara atë kohë që me iu përgjigje kërkesave ose me bashkëpunu me ish-Tribunalin e Hagës, ata në punën e tyre janë varur nga vullneti i shteteve”, vlerëson Medina Kadriu, e cila monitoron punën e kësaj gjykate.

Nga ana tjetër, Ligji për Dhomat e Specializuara të Kosovës, obligon institucionet tona që t’i përgjigjen kërkesave dhe të bashkëpunojnë me gjykatën, Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe avokatët.

Gjatë vitit 2022, nuk është ngritur asnjë aktakuzë e re, të paktën nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Gjykata Speciale, e cila është me seli në Hagë të Holandës, është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close