
Ish ministri i drejtësisë, Krenar Lloga përmes një postimi ka kujtuar veprimtarin e njohur të çështjes kombëtare shqiptare Aliriza Lloga i cili ishte veprimtar i shquar dhe deputeti i parë shqiptarë nga Struga që me dinjitet mbrojti çdo lëvizje kombëtare, shkruan Top24
Por kush ishte Aliriza Lloga?
25 vjet nga ndarja nga kjo jetë e veprimtarit Aliriza Lloga – profesor, deputet dhe politikan
Shumë fise e familje kanë në piedestalin e sojit të tyre njerëz që qëndrojnë lart si yje, të cilët ndriçojnë rrugëtimin e jetës së pasardhësve. Një i tillë ishte edhe Aliriza Lloga.
Ai ishte djali i vogël i Sami Llogës, i cili, së bashku me vëllain e tij Sejdin Lloga (gjyshi im) dhe katër motrat (Sanie Ll. Elmazi, Asie Ll. Ziba, Arzie Ll. Kaba, Misafet Ll. Sela), përbënte një ndër çerdhet më të rëndësishme të shqiptarizmës në Strugë.
Si fëmijë, nuk e kuptonim pse në shtëpitë tona hynin e dilnin pa pushim burra që flisnin për gjuhën shqipe, kombin, atdheun, Shqipërinë, Kosovën dhe rezistencën që duhej bërë në të gjitha nivelet. Na merrnin nëpër oda dhe na mësonin vjersha plot zjarr atdhedashurie, të cilat ne i recitonim me krenari. Asgjë e rastësishme, asgjë aksidentale…
Babai i tij, Sami Lloga, ishte pjesë e delegacionit që kontribuoi për hapjen e shkollave shqipe në Strugë, të cilat më vonë u bënë fara e mësimit të shqipes në çdo fshat e qytet të Maqedonisë së atëhershme, në Luginën e Preshevës, por edhe më gjerë. Ai ndërroi jetë duke pasur djalin e madh në burg për vizatimin dhe shpalosjen e flamurit shqiptar më 28 Nëntor 1967, ndërsa djalin e vogël, Alirizain, e la student.
Aliriza Lloga mbajti premtimin që i kish dhënë të atit dhe diplomoi në Universitetin e Prishtinës dhe, së bashku me shumë të tjerë, punoi si profesor në gjimnazin e Strugës. Për shkak të veprimtarisë së tij, ai u diferencua nga puna. Ishte pjesë e një familjeje të padëshiruar për sistemin jugosllav, e cilësuar si nacionaliste dhe irredentiste. U përndoq brenda dhe jashtë vendit, por nuk u dorëzua kurrë.
Ai ishte bashkëthemelues i Shoqërisë Kulturore-Artistike “Drita”, ku kultivohej kultura dhe tradita shqiptare. Për këtë veprimtari, aktivitetet e shoqërisë u ndaluan për një periudhë kohe.
I përfshirë në të gjitha nismat kombëtare të kohës, gjatë gjithë jetës së tij, Aliriza Lloga ishte pjesë e themelimit të lëvizjes së parë politike të shqiptarëve në Maqedoni, Partisë për Prosperitet Demokratik, e cila për Strugë u themelua në shtëpinë e tij. Më vonë, së bashku me Arben Xhaferin dhe bashkëveprimtarë të tjerë, do të themelonin edhe Partinë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve, me të cilën u zgjodh deputet.
Jeta e riktheu sërish në fushën e arsimit, si drejtor i Shkollës Qendrore në Dollogozhdë, së cilës iu vu emri i shkrimtarit tonë të madh Naim Frashëri. Më pas, ai punoi edhe si mësues i lëndës së Kimisë, ku edhe unë pata fatin ta kisha profesor.
Në vitin 1998 u zgjodh deputet në Kuvendin e Maqedonisë. Ai ndërroi jetë në dhjetor të vitit 2000, teksa ishte nisur për në Kuvend.
*Po sjell fotografi nga Arkivi i Fotografive të babait tim (Durguti – i treti poshtë nga e majta), ku, Alirizai (i pari nga e djathta larte) së bashku me shumë shokë, familjarë dhe miq, qëndrojnë në një organizim politik të kohës, përkrah kryetarit Nevzat Halili;
**foto 2 – Alirizai sëbashku me babain Sami dhe nënën Ike;
***foto 3 – Sejdin Lloga me vëllain Alirizain dhe djemtë Durgutin dhe Shpendin:
***foto 4 – Mendi Ll., Sejdin Ll. dhe Aliriza Ll.




