LajmeRajon

Krejt çka ndodhi mbrëmë me Molliqajn, u nis për emision përfundoi në polici

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj është arrestuar mbrëmë nga Policia e Kosovës derisa po shkonte në një debat televiziv.

Arrestimi i Molliqajt zgjoi reagime të shumta. Partitë opozitare e quajtën arrestim politik nga pushteti.

Ndërkaq, sipas zyrtarëve të PSD-së Policia e Kosovës shkeli ligjin për arrestimin e tij, pasi sipas tyre, nuk kishte fletarrest dhe një i tillë po përpilohej tek pas arrestimit.

“Ftesat për intervistim, përkatësisht dorëzimi personal i tyre nga ana e Policisë së Kosovës nuk është realizuar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Privimi i dhunshëm nga liria i Dardanit përbën abuzim me pushtetin nga ana e të gjithë zingjirit përgjegjës brenda sistemit të drejtësisë. Arrestimi i tij është krejtësisht joproporcional dhe në shpërputhje me kushtet ligjore për një veprim të tillë”, thuhet në njoftimin e PSD-së.

E shumë shpejtë përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës demantoi PSD-në, pasi publikoi dokumentin e ftesës për paraqitje në stacion, të cilën tha se ia ka dërguar Molliqajt.

Në vërtetim mbi dorëzimin e thirrjes thuhet se ajo është dorëzuar  në zyrat e PSD-së dhe se personat prezentë kanë refuzuar ta nënshkruajnë pranimin e saj.

Ndërsa në njoftim e Policisë lidhur me arrestimin e Molliqajt thuhet se derisa policia kishte kërkuar të njëjtin në adresat e banimit dhe nuk e kishte hasur të njëjtit i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare, por i dyshuari nuk e kishte përfillur.

“Pas arrestimit i dyshuari është dërguar në stacionin dhe si vijimësi e hapave të nevojshëm procedural, me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje prej 48 orësh”, thuhet në komunikatën e Policisë”.

Arrestimi i Molliqajt ngjalli reagimin edhe të krerëve të partivë opozitare dhe analistëve.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se arrestimi i dhunshëm i Molliqajt ka shije të një hakmarrjeje të pastër politike.

Ndërsa, i pari i AAK-së Ramush Haradinaj tha se çështja e arrestimit të Molliqajt është pak e çuditshme, pasi kauza e protestës kundër shtrenjtimit të rrymës ishte e drejtë.

E krejt në orët e vona të mbrëmjes, Partia Socialdemokrate doli në konferencë për media. Dy nga zyrtarët e kësaj partie Dren Kuka dhe Natyra Kuçi kërkuan lirimin e menjëhershëm të Molliqaj, derisa arrestimin e tij e quajtën të orkestruar nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri I Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.

Molliqaj ishte në kërkim nga dita e shtunë kur u mbajt protesta e PSD-së, por arrestimi u bë mbrëmë, përkundër që Molliqaj ishte paraqitur drejtpërdrejt në zyrat e PSD-së.

https://www.youtube.com/watch?v=9NxJpwqIg9s

Related Articles

Back to top button
Close
Close