
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se edhe 97 raste të reja janë infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19), duke çuar në 14.301 raste pozitive gjithsej, ndërsa asnjë rast i ri që ka përfunduar me vdekje nuk është regjistruar në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK janë testuar gjithsej 481 mostra të dyshuara me COVID-19, ndërsa nga data 8 shkurt deri më tani janë testuar gjithsej 54.924 mostra.
Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 139 pacientë të rinj, ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani është gjithsej 10.782 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.951.
Në Kosovë pas shumë javësh sot nuk është regjistruar asnjë i vdekur nga COVID-19, ndërsa numri i të vdekurve nga ky virus deri më tani është 568.