
Viti 2025 ka qenë i jashtëzakonshëm për kombëtaren e Kosovës në futboll, ku përpos kualifikimit në play-offin e Kupës së Botës 2026 edhe u promovuan në Ligën B të Ligës së Kombeve.
“Dardanët” nën drejtimin e Franco Fodas ishin të shkëlqyer këtë vit, ku regjistruan shtatë fitore, dy barazime dhe vetëm një humbje.
Kualifikimi në Ligën B të Ligës së Kombeve
Kosova aventurën pozitive e nisi në Ligën B të Ligës së Kombeve pasi kishte përfunduar e dyta në ligën C të Ligës së Kombeve pak muaj më parë.
Aty u përballen me një skuadër të fortë fizike, Islandën, por regjistruan fitore komode në dy ndeshjet me rezultat 2-1 dhe 1-3 për të avancuar një rang më lartë, pra rezultati i përgjithshëm 2-5.
Fillimisht, “Dardanët” fituan me rezultat 2-1 në “Fadil Vokrri”, ndërsa si mysafir ishin edhe më të mirë për të fituar me rezultat 1-3, duke e siguruar biletën që të dërgon në ligën B.
Forma pozitive e Kosovës vazhdoi edhe në dy ndeshjet e muajit qershor, të cilat kuptohet ishin miqësore. Të dy takimet u zhvilluan në Prishtinë, ku Kosova fillimisht e ‘rrahu’ Armeninë me rezultat 5-2 e pastaj Ishujt Komore me rezultat 4-2.
Kështu, me një entuziazëm të madh Kosova shkoi në kualifikimin e Kupës së Botës, ku ishim në një grup me Zvicrë, Suedinë deh Slloveninë.
Këndellja e madhe për ta siguruar play-offin e Botërorit
Edhe pse entuziazmi i madh, Kosova e nisi në një mënyrë të keqe, pra u mposhtën thellë në Bazel, nga Zvicra, që fituan me rezultat 4-0.
Pas kësaj, shpresat te tifozët filluan të shuhen meqenëse në përballjen e dytë, ishte Suedia – për shumëkë pretendenti kryesor për t’u kualifikuar si vend i parë në Botëror.
Por, Franco Foda ndryshoi sistemin e lojës 3-5-2 dhe që atëherë ndryshoi e tërë loja. “Dardanët” zhvilluan një paraqitje mahnitëse në “Fadil Vokrri”, ku mposhtën Suedinë me rezultat 2-0, që ishte fitorja e parë e madhe ndaj një shteti që renditet në top 30 të botës.
Me tre pikët e para, Kosova s’iu ndal rezultateve pozitive. Në muajin tetor morën një pikë në shtëpi ndaj Sllovenisë, sfidë ku zhvilluan një paraqitje solide, por epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 0-0.
Kosova pastaj e dëshmoi se është një kundërshtar në ngritje, pasi mposhti në udhëtim Suedinë me rezultat 0-1.
Kualifikimin historik e kompletoi në muajin nëntor, atë në udhëtim te Sllovenia me rezultat komod 0-2, sfidë në të cilën edhe përzgjedhësi i tyre Matjaz Kek deklaroi se “na mposhtën dhe na rrahën në aspektin sportiv”.
Kosova ishte në garë edhe për kualifikimin direkt, por që i duhej një fitore e madhe prej gjashtë golave dallim, gjë që kuptohet nuk është e lehtë për t’u arritur kundër Zvicrës.
Foda vendosi t’i pushojë disa nga lojtarët kryesorë të cilët rrezikonin suspendimin dhe me një barazim 1-1 në Prishtinë, e përmbyllën vitin si pozitë e dytë me 11 pikë, që është rekord pikësh.






