
Serbia të premten u ul në tryezën e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një mekanizëm i rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, ndërsa Kosova vazhdon ta ketë të ngrirë këtë proces me aleatin e saj kryesor.
Në ditën kur Serbia nisi bisedimet strategjike me Uashingtonin, Departamenti Amerikan i Shtetit përsëriti se dialogu me Kosovën nuk do të rikthehet pa u krijuar kushtet e duhura.
Albanian Post gjatë kësaj jave ka kërkuar një përgjigje nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës lidhur me atë nëse janë ndërmarrë hapa diplomatikë për rikthimin e këtij dialogu dhe, nëse po, cilat janë këto hapa. Megjithatë, deri në publikimin e këtij artikulli, institucionet nuk kanë kthyer përgjigje ndaj pyetjeve të dërguara.
Nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) të premten deklaruan se rifillimi i Dialogut Strategjik me Kosovën do të varet nga krijimi i kushteve të përshtatshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj komunitetit serb.
Në anën tjetër, ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë kësaj jave u shpreh se nuk ka pasur asnjë lëvizje për Dialogun Strategjik mes SHBA-së dhe Kosovës që nga pezullimi i tij në shtator të vitit të kaluar.
Por, pse SHBA-ja vendosi ta pezullojë Dialogun Strategjik me Kosovën?
Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën në shtator të vitit 2025 erdhi pas një periudhe të tensionuar në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Qeverisë në detyrë të Kosovës, ku pala amerikane shprehu shqetësime për disa veprime të institucioneve kosovare, të cilat, sipas saj, rrezikonin stabilitetin politik dhe institucional të vendit.
Paralajmërimet për një reagim të tillë nga SHBA-ja erdhën përmes të ngarkuarës me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, e cila deklaroi se Uashingtoni ishte i zhgënjyer me veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Prattipati kishte bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara po shqyrtonin përgjigjen e tyre, duke theksuar se “çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”.
Një nga çështjet që ndikoi në këtë përplasje ishte përplasja mes Qeverisë në detyrë dhe Gjykatës Kushtetuese. Kurti dhe zyrtarë të tjerë të partisë së tij kritikuan vendimin e Kushtetueses për masën e përkohshme, e cila ua ndalonte deputetëve të rinj të ndërmerrnin veprime drejt formimit të institucioneve të reja. Ata e akuzuan gjykatën për afërsi me partitë opozitare.
Këto deklarata u konsideruan problematike nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët kërkuan respektimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe shmangien e çdo forme presioni politik ndaj gjykatës më të lartë të vendit.
Përveç përplasjeve me Kushtetuesen, shqetësim në Uashington shkaktuan edhe veprimet e Qeverisë në detyrë lidhur me Listën Serbe dhe përfaqësimin politik të komunitetit serb. Përpjekjet për të kufizuar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, si dhe zhvillimet rreth zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, u panë nga SHBA-ja si çështje që mund të ndikonin në integrimin e këtij komuniteti në institucionet e Kosovës.
Në këtë frymë, administrata amerikane vendosi të mos e nisë procesin e Dialogut Strategjik me Kosovën, një mekanizëm që synonte forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha si ekonomia, siguria, energjia dhe investimet.
Pezullimi i këtij dialogu u pa si një sinjal i qartë politik nga Uashingtoni ndaj Prishtinës, duke reflektuar pakënaqësinë e SHBA-së me disa vendime dhe qasje të Qeverisë në detyrë. Megjithatë, pala amerikane ka theksuar vazhdimisht se partneriteti me Kosovën mbetet i rëndësishëm, por se ai kërkon koordinim më të madh, respektim të parimeve demokratike dhe mbështetje për institucionet e pavarura.



